Kurti në Bruksel kërkon liberalizim të vizave, thotë se janë përmbushur të gjitha kriteret

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se kushtet e BE-së duhet të jenë të drejta që rruga e Kosovës të jetë e shkurtër drejt qytetërimit evropian. Kurti tha që është shumë me rëndësi që të ketë liberalizim të vizave dhe se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret.

“Kushtet e BE-së duhet të jenë të drejta dhe të ndërlidhura me progresin e vërtetë që ta na motivojnë që rruga e Kosovës duhet të jetë e shkurtër drejt qytetërimit evropian. Për të përforcuar besimin tek BE-ja ne besojmë që është shumë me rëndësi që të kemi liberalizim të vizave, tashmë kanë kaluar 3 vjet, 4 muaj që prej Komisioni Evropian për herë të dytë ka rekomanduar liberalizimin e vizave, por qytetarët vazhdojnë të kalojnë këtë regjim vizash”, ka thënë Kurti.

“Para shumë kohësh kemi përmbushur të gjitha ato 95 kriteret që kanë qenë, dy herë e gjysmë më shumë sesa vendet fqinje”, ka thënë Kurti pas takimit me Përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak.

Kurti përmendi miratimin e planit ERA2, që del nga MSA-ja, e cila është miratuar para 2 muajve dhe se duhet qenë të përkushtuar në zbatimin e saj.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka deklaruar se marrëveshja për Stabilizim-Asociim është qendra apo themeli i bashkëpunimit, mundësi më të shumta drejt shtegut evropian.

“S’jemi këtu për t’i kryer punët e juaja, dhe për këtë e mirëpres kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e tij që të vë një fokus te sundimi i ligjit, tek ekonomia. Ne mbesim të vendosur që t’i vazhdojmë përpjekjet tona në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe sa i përket reformës së administratës publike”, tha Borrell.