Foto: ZKM
Kurti në Bruksel: Integrimi europian mbetet objektiv i yni parësor
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Bruksel, pas drekës së organizuar nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ishte në Qendrën Europiane për Politika (EPC), ku u diskutua mbi rrugëtimin europian të Kosovës.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, gjatë fjalës së tij hyrëse, si disa prej arritjeve të qeverisjes, Kurti veçoi rritjen ekonomike të vendit, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, sundimin e ligjit dhe zbatimi i reformave efektive në sistemin e drejtësisë, masat e punësimit, reformat ekonomike, mbështetjen e rritur për bujqësi, politika sociale dhe energjetike dhe digjitalizimin e shërbimeve.
Kurti gjithashtu u tha se theksoi se progresi demokratik i Kosovës u dëshmua dhe nga rangimet e matjet e ndryshme ndërkombëtare.
“Integrimi evropian mbetet objektiv i yni parësor” – citohet të ketë thënë kryeministri, duke shtuar se zhvillimi që po njeh vendi shërben edhe në funksion të avancimit të rrugëtimit e Kosovës drejt familjes europiane.
Në njoftimin për media u bë e ditur se Kurti theksoi se Kosova ka arritur nivelin e zbatimit të Agjendës për Reformat Evropiane (ERA II) në mbi 70%, e gjithashtu Programi Kombëtar për Integrimin Europian, i fokusuar në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), ka pasur një normë vjetore zbatimi që i kalon 60%.
“Në tre vitet e fundit, ne kemi adresuar e zbatuar me sukses reforma të shumta të vonuara prej kohësh, të cilat ishin rekomandime të kahershme e në mënyrë të përsëritur nga BE-ja që nga viti 2012” – citohet të ketë thënë Kurti në diskutimin me titull “Kosova dhe BE-ja: Dinamikat dhe perspektiva aktuale”.
Kryeministri tutje theksoi rëndësinë e iniciativës së BE-së për Planin e Rritjes, e për të cilën shtoi se Kosova është përkushtuar maksimalisht duke qenë ndër vendet e para e cila ka dorëzuar dhe Agjendën e Reformave.
Ai gjithashtu u shpreh se Kosova në vazhdimësi ka dëshmuar përkushtimin ndaj vlerave europiane dhe demokratike dhe përafrimin me politikën e jashtme të BE-së.
Kurti tutje shtoi se ka ardhur koha që edhe BE-ja të bëjë hapa konkretë dhe të marrë vendime të rëndësishme në lidhje me rrugën europiane të Kosovës.
“Të tilla janë njohja nga ana e pesë shteteve mosnjohëse të Bashkimit Evropian dhe marrja e statusit të vendit kandidat dhe pyetësorin për anëtarësim” – u shpreh kryeministri.
Pas fjalës hyrëse, kryeministri Kurti iu bashkëngjit diskutimit me të pranishmit, nën moderimin e analistes së politikave në EPC, Berta Lopez Domenech.
Kurti në Bruksel kërkon që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat dhe t’i hiqen masat nga BE-ja