Kurti në Bruksel: Dialogu nuk do të neglizhohet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova është e përkushtuar ndja Bashkimit Evropian. Këtë deklaratë ai e dha në konferencën e përbashkët për media në Bruksel me Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe atë të Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

“Ne jemi të përkushtuar ndaj Bashkimit Evropian. BE dhe NATO nuk kanë asnjë alternativë për Kosovën. Ne madje e treguam këtë gjatë kohërave të vështira të pandemisë. Kosova është një vend që as nuk imagjinon të marrë vaksina nga Federata Ruse ose Kina, ne shikojmë drejt BE-së. Ne e shohim BE-në, jo vetëm si një strukturë të institucioneve por edhe një vlerë kryesore historike dhe si një vizion progresiv për të ardhmen”, tha ai.

Sa i përket dialogut me Serbinë, Kurti tha se nuk do ta neglizhojnë. Kurti ritheksoi se dy top-prioritetet e qeverisë së tij, janë punësimi dhe drejtësia.

“Do të vij prap në mes të muajit maj në Bruksel, në darkën e thirrur nga ju [Josep Borrell] edhe me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Pres që të kemi takime të tjera për të folur rreth kapitullit të ri të dialogut, i cili duhet të prodhojë marrëveshje të zbatueshme”, tha ai.

Kurti shtoi se kjo vizitë nuk është thjesht simbolike dhe se kjo është arsyeja e takimeve të shumta që i kanë pasur në Bruksel këto dy ditë.

Sa i përket pandemisë ai tha se së shpejti Kosova do të pranojë vaksina të reja, në fillim te majit.

Kryeministri përmendi edhe pritjet nga diaspora dhe remitencat për ngjalljen e ekonomisë së Kosovës.

Borrell: Vizita e Kurtit në Bruksel, sinjal i qartë i aspiratës evropiane të Kosovës