Kurti në Bratislavë do ta takojë Borrelin dhe Lajçakun, sot kthehet në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar sot në Bratislavë të Sllovakisë dhe atje do të takohet me Përfaqësuesin për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë -Serbi, Miroslav Lajçak.

Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu cili tha se vizita e Kurtit në Bratislavë do të jetë një ditore.

“Kryeministri Kurti po merr sot pjesë në ditën e fundit të Konferencës për Siguri Globale në Bratislavë. Ndër të tjerash, atje do të takojë Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Borrel dhe emisarin e BE-së, Lajcak si dhe do të jetë pjesë e disa paneleve të diskutimit. Qëndrimi i tij do të jetë njëditor. Brenda ditës do të jetë në Kosovë”- ka thënë Kryeziu.

Kryeministri ka udhëtuar për në Bratisllavë për të marrë pjesë në ‘Forumin e Bratislavës GLOBSEC2023’ në Sllovaki.

Kjo është bërë e ditur në njoftimin e forumit në Twitter.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka mbërritur në Forumin #GLOBSEC2023 Bratislava. Dëgjojeni atë më vonë në një diskutime titull: Në qendër të vëmendjes: Ardhmëria e Kosovës”- thuhet në njoftim.

Bashkimi Evropian ka konfirmuar dje se është duke u munduar që të organizojë një takim të nivelit të lartë në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Ky takim urgjent është thirrur pas situatës së krijuar në veri të vendit, ku qytetarët serb kanë protestuar duke u përleshur kështu edhe me paqeruajtësit e KFOR ku kanë mbetur të lënduar rreth 30 pjesëtarë.

Borrell flet për takim urgjent mes Kurtit dhe Vuçiqit (kallxo.com)

Në anën tjetër në veri të vendit janë duke vazhduar protestat e qytetarëve serb të cilët po i kundërshtojnë kryetarët e rinj të katër komunave me shumicë serbe.

Për shkak të tensionimit të situatës në veri dhe vendimit për t’i dërguar krytearët e zgjedhur në zyrat e tyre komunale me forca policore, kanë rezultuar me sanksione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikes, ku FSK është përjashtuar nga Defener Europe 23.

Kriza në veri – Sanksione serioze të SHBA-së ndaj Kosovës, përjashtohemi nga Defender 23

Zhvillimet në veri – Dita e tretë e protestave