Kurti: Në aspiratat shtetndërtuese, Bashkimi Evropian duhet të jetë udhërrëfyes

Kryeministri i vendit, Albin Kurti së bashku më një pjesë të kabinetit qeveritarë ka mbajtur mbledhjen e parë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian të Qeverisë së Kosovës.

Në fjalën e hapjes, kryeministri Kurti tha se një nga përfitimet direkte e të qenit në proces të integrimit në Bashkimin Evropian, siç tha kryeministri, është edhe skanimi dhe pasqyrimi i punës që na bëhet nga Bashkimi Evropian, në secilën fushë e për çdo vit.

“Kjo në fakt e lehtëson shumë punën tonë, por edhe punën time, sepse e kam më të lehtë të shoh progresin dhe të kërkoj përgjegjësi nga secili prej jush aty ku ka dështime e vonesa”, citohet të ketë thënë Kurti.

Sipas komunikatës së qeverisë, Kurti ka kërkuar që kërkesat dhe kriteret që dalin nga procesi i integrimit në Bashkimin Evropian të trajtohen me seriozitetin e duhur dhe përkushtimin e nevojshëm.

“Në aspiratat tona shtetërore për të qenë një shtet i zhvilluar, me ekonomi të qëndrueshme dhe vend demokratik ku sundon ligji dhe drejtësia, standardet e Bashkim Evropian duhet të jenë udhërrëfyes”, shtoi kryeministri Albin Kurti.

Në mbledhjen e parë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian të Qeverisë së Kosovës, u shqyrtua plani i veprimit për fazën e dytë të prioriteteve politike në kuadër të procesit të integrimit evropian (përkatësisht Agjendës së Reformave Evropiane – ERA II).