Kurti: Në arsim vëmendjen do ta kthejmë te mësuesi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalës së tij në seancën e jashtëzakonshme për prezantimin e programit qeverisës, ka thënë se në fushën e arsimit për 4 vitet e ardhshme vëmendja do të kthehet tek mësuesi, që nxënësit të marrin edukimin e merituar.

Ai ka thënë se qytetarët e Kosovës duan një program që përputhet me nevojat dhe të drejtat e tyre, e ky program qeverisës, sipas tij, është ‘ajo për të cilin kemi folur që një kohë të gjatë’.

Kurti i përmendi disa objektiva të programit, në fushën e arsimit.

“Do të punësojmë 400 pedagogë, psikologë nëpër shkolla. Do të trajnojmë 5 mijë mësimdhënës brenda çdo viti. Do t’i licencojmë 9 mijë mësimdhënës, në bazë të vlerësimit të përformancës, në mënyrë që fëmijët të marrin edukimin që e meritojnë”, deklaroi Kurti.

Ai foli edhe për investimet në biblioteka e ofrimit të bursave për studentët. Kurti premtoi 1 mijë të tilla.

“Do të investojmë në biblioteka dhe do të ofrojmë 1 mijë bursa për studentët, sidomos për vajzat e në përparësi për ato që studiojnë shkencë, teknologji e inxhinieri”, tha Kurti.