Kryeministri Albin Kurti - Foto: ZKM

Kurti në adresimin për fundvit: Sukseset erdhën me sfida

Në adresimin për fundvit, kryeministri Albin Kurti ka numëruar arritjet që janë bërë nga Qeveria e drejtuar nga ai gjatë vitit 2024.

Kryeministri si arritje ka cilësuar liberalizimin e vizave, heqjen e vizave nga Tajlanda, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Tajvani, si dhe njohjen e pasaportës së Republikës së Kosovës nga dy shtete mosnjohëse, Spanja dhe Armenia. Gjithashtu, sipas kryeministrit, sukses është edhe mbyllja e institucioneve ilegale paralele që vepronin jashtëligjshëm në veri e faturimi i energjisë elektrike në këtë pjesë të vendit, për herë të pas më shumë se 20 vitesh.

“Që nga 1 janari i këtij viti, kemi nisur ta shijojmë lirinë që e meritojmë – liberalizimin e vizave. Ne renditemi më lart se kurrë më parë në indeksin ndërkombëtar të pasaportave, dhe sipas Indeksit Henley, sivjet jemi ndër 10 pasaportat që kanë shënuar përmirësimin më të madh në dekadën e fundit. Kosova po ashtu mori vlerësim kreditor për herë të parë nga agjencia e njohur amerikane Fitch Ratings, që cilëson si stabile perspektivën financiare të vendit dhe shërben si vulë e fuqishme për investitorët e huaj” – ka thënë kryeministri Kurti.

Në njoftimin e Qeverisë thuhet se kryeministri Kurti ka theksuar se ka pasur numër rekord të projekteve zhvillimore, programeve sociale dhe masave mbështetëse për komunitetet joshumicë, pa dallim.

“Ka përfunduar me sukses procesi i konvertimit të patentë-shoferëve nga të paligjshme në ato zyrtare të Republikës së Kosovës. Janë regjistruar mbi 6,300 konvertime, shumica prej tyre nga qytetarët e katër komunave në veri të Kosovës..Sheshet në veri nuk janë më vende frike, ku banorët vrojtohen e shantazhohen për çdo lëvizje të tyre, por janë bërë hapësira që bashkohen me gjithë Kosovën – një sferë publike dinamike e një vendi në zhvillim të vrullshëm”- theksohet në komunikatë.

Shtesat e ofruara për fëmijë, rritja e pensioneve e rritja e pagës minimale sipas Kurtit bën që kjo Qeveri të jetë për të gjithë.

“Gjerësia e një shteti shihet më së miri në raport me ata që varen më së shumti nga shërbimet e tij. Pensionet janë rritur me 20%. Paga minimale është rritur pas 13 vitesh. Ndihmat për fëmijë janë shtuar dhe po vazhdojnë. Shërbimet e shëndetësisë publike janë zgjeruar, shumë prej tyre për herë të parë, duke ofruar një kujdes të denjë për të gjithë. E duke nisur nga 1 shkurti i vitit 2025, çmimet e mbi 2,900 barnave do të jenë deri në dhjetë herë më të ulëta”.

Sukseset erdhën me sfida, sipas komunikatës e Zyrës së Kryeministrit.

Sfidat gjatë vitit 2024 sipas Kurtit ishin sulmi në kanalin e “Ibër-Lepencit”, i cili dëmtoi seriozisht infrastrukturën e shtetit të Kosovës.

E po ashtu mungesa me furnizim të energjisë elektrike në disa nga qytetet e Kosovës ishte “problemi” i theksuar në këtë njoftim.

Kurti ka theksuar se ka kërkuar nga operatorët e rrjetit transmetues dhe shpërndarës, KOSTT dhe KEDS, angazhim maksimal në zgjidhjen e problemeve e prishjeve teknike dhe menaxhimin e ngarkesës.

“Këto sulme na kujtojnë dy të vërteta: se ka individë dhe grupe me qëllime keqdashëse ndaj nesh, porse vendosmëria jonë gjithmonë e tejkalon dashakeqësinë e grupeve kriminale dhe shteteve që i përkrahin ato. Hapat që i kemi marrë, nga forcimi e shtimi i ushtrisë, e deri te kontrata për Fabrikën e Municioneve, janë veprime të rëndësishme për të ardhmen tonë e të sigurisë tonë, e cila është në një trajektore të fuqizimit. Problemi me furnizim me energji elektrike, me të cilin jemi ballafaquar ditëve të fundit, nuk është rezultat i mungesës së rrymës, por i konsumit të lartë të energjisë, që po e sfidon rrjetin e transmisionit, në të cilin me vite e dekada të tëra nuk është investuar sa duhet”.

I pari i Qeverisë uz uron Vitin e Ri 2025 të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke shtuar se “e mbyllim këtë vit me përkushtimin që sfidat e sivjetme t’i lëmë pas dhe të vazhdojmë përpara me edhe më shumë forcë e vendosmëri. E ashtu siç filluam mbarë vjet, hyjmë mbarë, së bashku, në këtë ndërrim motmotesh”.