Kurti në 17-vjetorin e LVV-së: Nuk jemi ndalur e as nuk do të ndalemi

Në 17-vjetorin e themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), kryetari i kësaj partie dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në vitin e parë në qeveri, partia e tij ka lëvizur përpara gjërat në të mirë të vendit.

“Ky 17-vjetor i Lëvizjes na gjen për herë të dytë në qeverisje, pra duke lëvizur gjërat përpara e në të mirë në republikën tonë. Ka qenë një vit me kriza të shumëfishta që prekën të gjithë njerizimin e nuk na kursyen as neve, por me angazhim e punë, vendosmëri e guxim, dije e me plane kemi arritur të bëjmë më të mirën”, tha Kurti.

Në një konferencë për media, para selisë së kësaj partie, Kurti tha që partia e tij ka dëshmuar se mund të qeveriset mirë.

“Lëvizja jonë ka dëshmuar se ka qeverisje alternative përkundër asaj që kemi parë në të kaluarën, ka dëshmuar se mund qeveriset mirë e të shënohet progres”, theksoi Kurti.

Kurti u zotua se qeveria e drejtuar nga ai do të vazhdojë punën për të mirën e qytetarëve dhe të drejtat e tyre.

“Mund të themi se qëndrojmë drejt në kuptimin që tashme kemi treguar se shumëçka bëhet e mundshme nëse duam dhe jemi të përcaktuar të punojmë në atë drejtim. Ne e kuptojmë dëshirën për ende më shumë punë të mira ne qeverisje, kjo nevojë na mbanë ndezur, vital e të përgjegjshëm, kudo në Kosovë ne po përpiqemi që nevojat e qytetarëve ti plotësojmë dhe ti mbrojmë të drejtat e tyre”, theksoi ai.

Sipas tij, viti i parë i qeverisjes nga LVV ka bërë qartazi prerjen me qeverisjet e kaluara që ka pasur Kosova.

“Këtë vit kemi filluar ndryshimet që e bëjnë qartazi prerjen me të kaluarën, kemi qenë të vetëdijshëm se ky ndryshim do të hasë në rezistencë nga ata që e kanë keqpërdorur shtetin dikur, por nuk jemi ndalur e as nuk do të ndalemi”, shtoi ai.

Lëvizja Vetëvendosje u themelua më 12 qershor 2005 , si pasardhëse e organizatës KAN (Rrjeti i Aksionit për Kosovën), në të cilën Albin Kurti kishte qenë aktivist.

Në ditën kur Kosova festonte çlirimin, (12 qershor 2005) një grup i të rinjve të udhëhequr nga Albin Kurti dolën rrugëve të Prishtinës përballë misionit të OKB-së që administronte Kosovën, UNMIK, vendosën sloganin “Jo Negociata, Vetëvendosje”.

Ky aksion shënon fillimin e një liste të gjatë aksionesh e protestash me të cilat do të shënohet historia e Vetëvendosjes.

Për të kundërshtuar planin e diplomatit finlandez, Marti Ahtisaari, Lëvizja Vetëvendosje në shkurt të vitit 2007 kishte organizuar një protestë masive, ku me ndërhyrjen e policisë speciale rumune, dy aktivistët Mon Balaj e Arben Xheladini, kishin mbetur të vdekur, ndërsa mbi 80 të tjerë ishin lënduar.

Në vitin 2010, Vetëvendosje hyri edhe zyrtarisht në politikë duke marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme dhe duke fituar 12.4% të votave dhe 14 nga 120 vende në Kuvendin e Kosovës.

Në zgjedhjet e fundit që u zhvilluan më 14 shkurt, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar mbi 50% të votave, duke u bërë partia me më së shumti deputetë në Kuvendin e Kosovës, gjithsej 58.