Albin Kurti - FOTO KALLXO

Kurti: NATO nuk ka nevojë për shkëmbime të fshehta me Kosovën, e kemi pritur me lule e me përqafime

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit me komandantin e KFOR-it, gjeneral Michele Risi  ka thënë që prania e NATO-s  është e pazëvendësueshme.

Sipas Kurtit kjo sepse “rajoni është ende jostabil dhe përderisa përballemi me një shtet që ka pretendime territoriale ndaj nesh”.

Duke iu referuar marrëveshjes që u bë publike dje, Kurti ka thënë që bashkëpunimi me NATO-n duhet të jetë transparent.

“NATO nuk ka nevojë për shkëmbime të fshehta me popullin e Kosovës sepse ne e kemi pritur me lule e me përqafime. Nuk është e rastësishme që nga zyrtari i NATO-s unë e mora letërkëmbimin dhe jo nga presidenti ynë”, ka shkruar Kurti.

Shefi i Qeverisë edhe një herë ka theksuar nevojën për sqarim se nga kush ka ardhur një kërkesë e tillë për një marrëveshje e cila FSK-në e lejon të shkojë në veri vetëm me dakordimin e KFOR-it.

“Çështja është pse presidenti e bëri atë zotim mu në ditën kur edhe nënshkroi ‘Zajednicën’ me Daçiqin në Bruksel? Pse nuk e njoftoi askënd, dhe a veproi Presidenti në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën?”, ka shkruar tutje Kurti.

Duke iu referuar reagimeve të cilat pasuan publikimin e kësaj marrëveshjeje, Kurti ka thënë që nga kjo u kritikua vetëm opinioni i zyrës ligjore për shkarkimin e presidentit.

“Me sa kam parë, askush nuk na ka kritikuar se përse e kemi bërë transparente një letër të mbajtur fshehtë, e cila nuk ka qenë dokument i klasifikuar, por kritikuan opinionin ligjor nga zyra ime se pse ka rekomanduar shkarkimin e presidentit”, ka shkruar tutje ai.

Krejt në fund kryeministri Kurti ka thënë që në Kosovë duhet të ndërtohet shteti i së drejtës.

“Ne jemi shoqëri e hapur që po ndërtojmë demokraci të qëndrueshme me punën e një qeverie progresive. Do të ketë dhe duhet të ketë debate e kritika e mospajtime çdoherë por duhet të ndërtojmë shtetin e së drejtës. Institucionet duhet të respektojnë e zbatojnë ligjet dhe Kushtetutën”, ka theksuar Kurti.

Dje, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, publikoi një letërkëmbim mes Hashim Thaçit dhe ish-Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, në vitin 2013 ku Thaçi i garantonte se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk do të operojë në veri pa leje të KFOR-it.

Ndërsa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nga Uashingtoni nuk ka komentuar marrëveshjet e publikuara por vetëm ka shkruar se Kosova është e bekuar me miqësinë dhe aleancën strategjike që ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në anën tjetër Ish-kryeministri Haradinaj ka thënë që pas transformimit të FSK-së në Ushtri më 9 janar 2019 i ka shkruar letër Sekretarit të NATO-s, Jens Stoltenberg, në të cilën ka kërkuar që të zhvleftësohet marrëveshja e vitit 2013.