Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti: Na duhet kohë për t`u përgatitur për zbatim të plotë të reciprocitetit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë që qeveria e udhëhequr nga ai do ta vendos reciprocitetin ndaj Serbisë.

“Se ne jemi për reciprocitet nuk do mend, ajo çka ne do të bëjmë tash është ta zbatojmë atë, dhe e gjithë përpjekja jonë është sesi ta bëjmë zbatimin e plotë”, tha Kurti.

Kurti para deputetëve të Kuvendit të Kosovës tha që Serbia karshi mallrave të Kosovës bënë barriera sporadike dhe sistematike.

“Për ta zbatuar reciprocitetin që ne jemi zotuar, kemi nevojë që t’iu bëjmë ballë suksesshëm barrierave sporadike dhe atyre sistematike. Kjo nënkupton që neva na duhet kohë për t’u përgatitur që ta zbatojmë të plotë reciprocitetin. Është e domosdoshme që ne të përgatitemi që mos të dështojmë në zbatim. Pse ne mund të dështojmë në zbatim, sepse jemi qeveria e parë e cila merremi me reciprocitetin“, tha ai.

Kurti shtoi se reciprocitetin nuk e vendosin për hakmarrje ndaj dikujt por e kanë si parim që derivon nga koncepti i barazisë.

“Ne do ta zbatojmë reciprocitetin në kohën kur do të jemi të përgatitur për zbatim të plotë të tij. Kjo është çështje e qeverisë tonë dhe kjo do të bëhet. Dikujt mund të mos i pëlqej por ne këtë do ta bëjmë. Sa për votat e opozitës për, edhe në këtë aspekt nuk kam nevojë, siç e dini”, tha ai.

Më 28 nëntor të viti 2018, qeveria Haradinaj kishte marrë vendim që ndaj produkteve të mallrave nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina të vendoste taksë 100 për qind.

Qeveria Kurti 1 kishte filluar kishte bërë largimin e taksës për ta zëvendësuar atë me reciprocitet gradual.

Mirëpo masat e reciprocitetit gradual të marra nga qeveria Kurti 1 ishin shfuqizuar nga qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti.