Kurti: Mos blini më shumë sesa ju duhen, sepse do t’iu skadojnë pa u konsumuar

Kryeministri në detyrë i Kosovës, përmes një videoje ka ftuar qytetarët që edhe më tutje të kujdesen për veten dhe të qëndrojnë në shtëpi.

Kurti ka thënë se situata në Kosovë është nën kontroll në këtë kohë pandemie dhe se qytetarëve nuk do t’u mungojë furnizimi as me miell e as ushqime të tjera, duke shtuar se tregtia është dukë vazhduar dhe se mallrat që po hyjnë në Kosovë po shtohen.

Kurti ka përmendur edhe ndihmat nga BE dhe ShBA.

“Mos blini më shumë se sa ju duhen, sepse do t’iu skadojnë pa u konsumuar”, ka porositur Kurti.

Kryeministri në detyrë ka thënë se Kosova i ka marrë tashmë masat parandaluese më parë se shtetet që po pësojnë nga ky virus.

“Kjo pandemi po na mëson sërish ndjenjën e të qenit bashkë. Ne i kemi marrë masat kufizuese shumë më parë se sa vendet që sot po pësojnë nga ky virus. Që nga dita e parë kemi kërkuar që këtë situatë ta marrim me qetësi e pa panik. Kjo nuk do të thotë se situata nuk është serioze, në fakt kjo është situata më serioze që kemi pasur që nga pas lufta”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se duhet të kemi besim te punëtorët shëndetësorë por nuk duhet të çlirohemi dhe të dalim.

“Sot na shtohet edhe besimi që kemi te zhvillimi i mjekësisë dhe të punonjësit e shëndetit publik. Mirëpo kjo nuk duhet të na çlirojë, duhet ta bindim vetën dhe secilin familjar të rrimë në shtëpi. E di se sa e vështirë është të jesh mbyllur, ky është një lloj burgu që rëndohet në stinën e pranverës, teksa rruga e lagjes apo qielli i kaltër ngjajnë si fotografi në dritare. Mirëpo nuk është vuajtje e madhe të kufizohet dalja për një muaj, merreni me humor, sot keni internet i cili iu lidh aq shumë pa lëvizur fare. Nëse dilni ju i rrezikoni familjarët e sidomos të moshuarit”, ka shtuar ai.