Kurti mohon t'i këtë dhënë Beogradit garanci për mosarrestimin e personave që janë në listën e zezë të ShBA-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk i ka dhënë Beogradit ndonjë garanci për mosarrestimin e personave që janë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kurti në një intervistë për Al Jazzera ka thënë se garancia e vetme është barazia për të gjithë.

“Natyrisht, jo. Garancia e vetme si qeveria demokratike është barazia për të gjithë, kushtetutshmëria nëpër të gjitha komunat e Kosovës, rritja ekonomike dhe mirëqenia sociale. Nuk mund të jap garanci për kriminelët që janë të listat e zeza të ShBA-së dhe Britanisë”- ka thënë Kurti.

Ai ka folur edhe për situatën e fundit në vend, duke thënë se kriza nuk ka përfunduar sepse Kosova dhe Serbia kanë marrëdhënie jonormale.

Sipas Kurtit, strukturat ilegale në veri janë kthyer së fundmi në banda kriminale.

“Kemi nevojë për marrëveshje për normalizim me fokus njohjen. Nga ana tjetër, kriza nuk ka përfunduar sepse strukturat ilegale të Serbisë që janë atje që nga 1999, së fundmi janë kthyer në banda kriminale që kanë ngritur 16 barrikada gjatë dhjetorit. Agresiviteti i tyre që është rritur është shprehje direkte e panikut të tyre. Ata e dinë që sundimi i ligjit në Republikën tonë është më i fuqishëm se kurrë dhe nga frika ata kanë ngritur këto barrikada dhe nga frika i kanë hequr” – ka thënë ai.

Kryeministri i Kosovës tutje ka thënë se bandat kriminale po i frikësojnë serbët e Kosovës.

“Tani mediat nuk janë aq influencuese si dikur, por struktura ilegale që janë shndërruar në banda kriminale po kërcënojnë serbët dhe kjo është faktori kryesor që të disiplinohen serbët sipas vizionit të Beogradit. Ai vizion është Kosovë pjesë e Serbisë. Ata duan ta zbulojnë një makinë të kohës dhe të kthehen në shekullin e kaluar, nuk do të ndodh kështu që ata mund ta bëjnë budalla vetëm vetën”- ka deklaruar ai.

Millan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq në vitin 2021 janë vënë në listën e sanksioneve  të Departmanetit të Thesarit të SHBA-së.

Departamenti i Thesarit i akuzon se kanë bërë marrëveshje me politikanët për t’i ndihmuar partitë e tyre që t’i fitojnë zgjedhjet dhe se u kanë dhënë para kandidatëve.

Në këmbim, politikanët u kanë dhënë vëllezërve Veselinoviq kontratat më të mira të infrastrukturës, informacione mbi pronësinë për t’i mbështetur investimet e tyre dhe kontroll mbi fusha të caktuara të biznesit të tyre, njoftoi Departamenti i Thesarit.

Pas SHBA-së, më 9 dhjetor 2022, në ditën që shënon Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit dhe Ditën e të Drejtave të Njeriut, Britania e Madhe ka sanksionuar 30 figura politike të përfshira në korrupsion, shkelës të të drejtave të njeriut dhe autorë të dhunës seksuale. Në mesin e personave të sanksionuar janë edhe nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radojiçiq dhe Zvonko Veselinoviq.

Në raport thuhet se Millan Radoiçiq, biznesmen i industrisë së ndërtimit dhe nënkryetar i Listës Serbe “ka përfituar nga shpërdorimi i kontratave shtetërore dhe ka përdorur ndikimin e tij për t’i dhënë kompanive të tij të ndërtimit kontrata fitimprurëse”.