Kurti: Granatat e përdorura nga grupet kriminale në protestë janë prodhuar dhe sjellë nga Serbia

Kryeministri Albin Kurti tha sonte se granatat e dorës dhe shok bombat e përdorura nga grupet e dhunshme ekstremiste dhe kriminale në 3 komunat veriore më 29 maj janë të prodhuara dhe të sjella nga Serbia.

“Grupet e dhunshme ekstremiste dhe kriminale në 3 komunat veriore më 29 maj përdorën granata dore SRB (Slavko Rudojiq Bugojno) M75 dhe shok bomba RSB (Ruçna Shok Bomba) P98, të dyja të prodhuara dhe të sjella nga Serbia, duke plagosur dhjetëra ushtarë të NATO-s, policë të Kosovës dhe gazetarë” – ka shkruar Kurti në Twitter.

Së paku 25 pjesëtarë të KFOR-it kanë mbetur të lënduar pas përleshjes me protestuesit në Zveçan më 29 maj.

Protestuesit kishin gjuajtur mjete shpërthyese në drejtim të tyre.

Aleanca Veri – Atlantike (NATO) kishte dënuar fuqishëm sulmet e paprovokuara të trupave të misionit paqeruajtës KFOR-it në Zveçan sot gjatë ditës.

Përmes një deklarate të zëdhënëses së NATO-s, Oana Lungescu është thënë se sulmet e tilla janë krejtësisht të papranueshme dhe se dhuna duhet të ndalet menjëherë.