Kryeministri Albin Kurti në takim me gazetarët afganë. Foto: ZKM.

Kurti mirëpriti gazetarët afganë në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim katër gazetarët afganë që kanë mbërritur mbrëmë në Kosovë.

Sipas njoftimit, Kurti është shprehur i kënaqur që po i takon ata sot në zyrën e tij.

“Ai tha se populli i Kosovës bashkë ndjen me kauzën e tyre dhe të ​popullit afgan për demokraci, respektim të lirive dhe të drejtave të njeriut dhe prosperitet”- thuhet në njoftimit të Zyrës së Kryeministrit.

Ndërsa, Amina, në emër të grupit të gazetarëve, tha se janë falënderues për mikpritjen në Kosovë dhe për mbështetjen e Qeverisë.

“Kryeministri dhe gazetarët biseduan për aktualitetin në Afganistan, pozitën e gazetarëve dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut atje, e veçanërisht të grave dhe vajzave nën regjimin taliban”- thuhet tutje në njoftim.

Gazetarët afganë u mirëpritën në vendin tonë një muaj pas vendimit të Qeverisë që do t’u mundësojë atyre strehim, pagë mujore, sigurim shëndetësor dhe biletë kthimi, kur rrethanat të krijohen që ata të kthehen në shtëpitë e tyre.

Programi “Journalists in Residence – Kosovo”, inicuar nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF,  financohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, zbatohet nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe mbështetet edhe nga Iniciativa Hannah Arendt. Deri më tani, përmes këtij programi, në Kosovë po qëndrojnë 12 gazetarë ukrainas dhe 4 afganë.

Kurti në takim me gazetarët afganë në Kosovë. Foto: ZKM.