Foto: ZKM

Kurti mirëpret vendimin për vizat, thotë se është mirënjohje e përkushtimit ndaj sundimit të ligjit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mirëpritur vendimin e sotëm të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.

Kurti ka thënë se kjo është një mirënjohje e përkushtimit të Kosovës për sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit, forcimin e kontrolleve kufitare dhe menaxhimin e migracionit.

“E mirëpres vendimin e sotëm të rëndësishëm dhe të vonuar nga COREPER për liberalizimin e vizave për Kosovën, një mirënjohje e përkushtimit tonë për sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit, forcimin e kontrolleve kufitare dhe menaxhimin e migracionit. Mirënjohës ndaj Presidencës çeke dhe mezi pres finalizimin e këtij procesi”- ka shkruar Kurti në Twitter.

 

Sot, Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.

Sipas vendimit, lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, dhe data për këtë është 1 nëntori i vitit 2023.

Por, në rast se do të ketë vonesa për këtë sistem, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.

Ambasadorët e BE-së çojnë përpara procesin e liberalizimit të vizave