Kurti: Mirënjohës për rolin e pazëvendësueshëm të Amerikës në arritjet tona

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka uruar Amerikën për përvjetorin e pavarësisë.

Kurti ka theksuar se është mirënjohës e falënderues për rolin e pazëvendësueshëm të ShBA-së në arritjet e Kosovës.

Ish-kryeministri Kurti ka shtuar se shteti i Kosovës dhe kombi shqiptar i bashkohen sot festës së popullit dhe institucioneve të ShBA-ve.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës sot festojnë 244 vjetorin e pavarësisë.

Më poshtë e gjeni të plotë publikimin e Albin Kurtit në Facebook:

Urime 4 Korrikun!

Para 244 vitesh u shpall pavarësia e ShBA-ve nga Anglia perandorake. U bashkuan 13 koloni për t’u çliruar duke shënuar në histori kalimin nga monarkia e sundimi në republikë dhe demokraci.

Barazia dhe të drejtat e njeriut siç i mendojmë sot e kanë burimin nga ajo kohë që nuk rreshti së frymëzuari popuj e lëvizje anembanë globit për liri e drejtësi. Deklarata e Pavarësisë së ShBA-ve është pararendëse e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut. Revolucioni amerikan është pararendës i anti-kolonializmit në botë.

Mirënjohës e falenderues për rolin e pazëvendësueshëm në arritjet tona, shteti i Kosovës dhe kombi shqiptar i bashkohen sot festës së popullit dhe institucioneve të ShBA-ve.