Kurti ministrave të tij: Jepni kuptim pozitës që se ka pasur asnjëherë në Kosovën e pasluftës

Kryeministri i ri i Kosovës, ka filluar mbledhjen e parë me kabinetin e tij qeveritar.

15 ministrat e qeverisë së tij, i uroi për detyrat e reja që kanë marrë, duke thënë që tani është koha që të punojnë për qytetarët të cilët sipas tij e kanë pritur gjatë këtë ditë.

“Po e filloj duke uruar secilin prej jush për pozitën dhe përgjegjësinë që do të keni për t’i shërbyer qytetarëve tanë pa dallim, është mirë që ta themi që në fillim se ky kabinet është i qytetarëve dhe se ne punojmë në emër të tyre dhe për ta. Ata na kanë dhënë neve besimin, ata na e kanë dhënë mandatin dhe presin nga ne që t’i realizojmë prioritetet dhe detyrat tona”- tha Kurti.

Sipas Kurtit në 100 ditët e para, ata do t`i presë një punë e madhe dhe nuk do të kenë kohë as të ulën në karriget e ministrave.

“Energjia dhe entuziazmi i qytetarëve duhet të jenë motorr për punën tonë, prandaj edhe nuk mund të pushojmë deri sa ta shpërblejmë besimin e tyre, 100 ditët e para do të jenë ditë të zëna me angazhim e përkushtim maksimal. Karrigat i kemi, por jam i bindur që më shumë do të rrimë në këmbë për shkak të punëve që na presin”- tha ai.

Kurti sugjeroi ministrat e tij që të jenë sa më modest, të takohen me qytetarët dhe t’i shohin brengat e tyre.

“Sytë e gjithë popullit tashmë janë te i gjithë kabineti, rrjedhimit te secili prej jush. Le të bëhemi të thjeshtë e të drejtë ashtu siç i kemi qytetarët. Ministri i bujqësisë duhet të kalojë më shumë kohë me fermerët sesa në zyrë, e ministri i shëndetësisë me të sëmurë”- tha ai.

Në fund, Kurti porositi ministrat e tij që me punën e tyre t’i japin kuptim postit të tyre sepse pozita e ministrit s’ka pasur asnjëherë kuptim në Kosovën e pasluftës.

Albin Kurti është zgjedhur kryeministër i ri i Republikës së Kosovës. Ai është zgjedhur kryeministër në seancën e sotme të Kuvendit me 66 vota për dhe 10 abstenime.

Partia e Kurtit do të bashkëqeverisë me Lidhjen Demokratike të Kosovës, kabineti Kurti, do t’i ketë 15 ministri, ndërsa 5 nga to do të udhëhiqen nga gratë.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës deklarimet, dallimet dhe takimet e disa muajve arritën t’i zyrtarizojnë në një koalicion të dielën e 2 shkurtit 2020, gati 4 muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.