Kurti: "Mini-Schengeni ballkanik" është një ide, ndërsa "Makro-Schengeni shqiptar" mund të zbatohet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur lidhur me zhvillimet gjatë takimit të djeshëm me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Kurti në emisionin ‘Rubikon’ të KTV-së deklaroi se takimi në Shqipëri me Ramën ishte më konstruktiv dhe më i miri në vitet e fundit.

“Me siguri që ne kemi dallime mirëpo ky takim ishte më konstruktiv dhe më i mirë në një kohë shumë të gjatë. Ndoshta jo më i miri prejse takohem me z. Rama por më i miri në këto vitet e fundit. Ky mund të jetë një fillim i ri i raporteve mes dy vendeve tona të cilët mendoj që një mënyrë edhe absurde janë dëmtuar me inati gjëra personale në mënyrë absurde pasi kjo ka të bëjë me popujt tonë e jo me ne”, tha ai duke shtuar se një numër i madh i marrëveshjeve nuk janë zbatuar plotësisht dhe se, sipas tij, ka nevojë për një dinamizëm të ri.

Të dy kryeministrat nuk janë pajtuar sa i përket “Mini-Schengenit ballkanik”.

Ai tha se “Mini-Schengeni ballkanik’ është edhe një interes i Rusisë, kurse “Makro-Schengeni shqiptar” mund të zbatohet shumë shpejt.

“’Makro-Schengeni shqiptar’ nënkupton një liberalizim të gjithanshëm shqiptar. ‘Mini-Schengeni ballkanik’ është një ide që nuk është zbatuar, derisa ai shqiptar mund të zbatohet shumë shpejt. Iniciativat e tilla nuk kanë nga t’ia mbajnë pa u kthyer te Procesi i Berlinit”, deklaroi Kurti.

Kryeministri Kurti nuk e ka përjashtuar mundësinë që të marrë pjesë në takimin e radhës të “Mini-Schengenit ballkanik”, takim ky që Qeveria në krye me Ramush Haradinajn e kishte refuzuar.

“Duhet ta diskutojmë bashkë me kabinetin qeveritar. Duhet të presim dokumentacionin e kësaj ideje dhe jam që të zhvillojmë disa kontakte paraprake para se të ulemi në një takim të katërt. Apriori nuk është e mençur të them se nuk e pranoj, por nuk do të thotë se kam ndryshuar radikalisht. Nuk kemi parë shumë nga këto tri takime. Nëse ma mbushin mendjen mua dhe Qeverisë së Kosovës natyrisht se po, por jo pa një trajtim të vëmendshëm të asaj se çfarë kanë bërë”, tha ai.

Mospajtimi i parë Rama – Kurti, ‘Mini-Schengeni Ballkanik’

Kurti e Rama pajtohen për formimin e një komisioni ndërshtetëror

Edi Rama dhe Albin Kurti flasin për heqjen e kufirit Kosovë – Shqipëri