Foto: ZKM

Kurti merr pjesën në promovimin e librit “100 vjet Klubi i Futbollit Prishtina”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 23.12.2024 ka marrë pjesë në promovimin e librit “100 vjet Klubi i Futbollit Prishtina”.

Ai ka thënë se klubi i Prishtinës, i themeluar në vitin 1922, që dikur e mbante emrin “Kosova”, sikur parashihej se do të jetë një klub që do të bënte emër e do të përfaqësonte jo vetëm Prishtinën por edhe gjithë Kosovën.

Ndërsa, ka thënë se momentet më kulmore të këtij klubi ishin në vitet e ‘80, me gjeneratën e artë të Prishtinës, me në krye kapitenin Fadil Vokrri dhe me shokët e tij.

“Në stadiumin e kryeqytetit, me përkrahjen e madhe të tifozëve, nuk kishte skuadër që nuk mposhtej. Ekipe të famshme që ngadhënjenin edhe nëpër Evropë, kur vinin në Prishtinë mposhteshin. E entuziazmi i madh sportiv, bëri që në vitet e ‘80-ta të formoheshin edhe grupet e para të tifozëve në formë të organizuar siç janë “Plisat”, të cilët edhe sot e kësaj dite i mbështesin ngjyrat bardhekaltër të kryeqytetit”- ka shtuar ai.

Ndërsa ka thënë se libri u botua me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Kurti ka thënë se beson se futbolli dhe sporti i Kosovës në përgjithësi do të vazhdojë të shkruajë histori dhe të arrijë suksese madhore ndërkombëtare edhe në të ardhmen.