
Kurti merr pjesë në inaugurimin e Bankës në veri, në të cilën ka aksione edhe Behgjet Pacolli
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se Banka Ekonomike sot, më 16.01.2025, ka hapur Degën e saj në Leposaviq.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se kjo Degë e Bankës ka aktualisht pesë punëtorë, tre serbë e dy shqiptarë.
“Mbi 300 biznese janë hapur dhe afër 500 qytetarë nga komuniteti serb janë punësuar në Veri të Kosovës, gjatë vitit 2024. Sot, Banka Ekonomike e hapi Degën e 33-të të saj në Kosovë, kësaj radhe në Leposaviq – duke ofruar shërbime moderne për biznese dhe qytetarë, e të cilat i ofron edhe në secilën pikë tjetër në Kosovë. Vetëm se këtu tash me pajisje të reja të teknologjisë së fundit.” – ka shkruar Kurti në Facebook.
Sipas të dhënave në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), në Bankën Ekonomike ka aksione edhe kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli.
Pacolli, sipas këtyre të dhënave, mban 34.82% të aksioneve të kësaj Banke komerciale, që është aksionari me përqindjen më të madhe të aksioneve.
Gjithashtu, edhe sipas të dhënave të publikuara të Bankës Ekonomike në ueb-faqen e saj zyrtare, figuron që Behgjet Pacolli është aksionari më i madh në këtë Bankë.
Kujtojmë që në tetor të vitit 2019, Pacollit i ishte publikuar një fotografi me Millan Radoiçiqin – fotografi që pretendohej se ishte shkrepur në vitin 2017.
Rrjeti i Gazetarisë Hulumtuese në Serbi – KRIK kishte publikuar një foto në të cilën shihen bashkë kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, Goran Rakiq dhe Millan Radoiçiq.
Pacolli e kishte komentuar fotografinë me Millan Radoiçiq në Kallxo Përnime.
“Unë kurrë s’e kam njohur kush është Millan Radoiçiqi. As emrin nuk ia kam dëgju. Unë kam shkuar në Budva dhe është parkuar jahti im në një vend afër, sepse ka qenë më i madhi prej tyre. Derisa është lidh jahti im, aty është parkuar një jaht tjetër.” – kishte thënë Pacolli.
“Unë kurrë s’e kam njohur kush është Millan Radoiçiqi. As emrin nuk ia kam dëgju. Unë kam shkuar në Budva dhe është parkuar jahti im në një vend afër, sepse ka qenë më i madhi prej tyre. Derisa është lidh jahti im aty, është parkuar një jaht tjetër.” – thoshte Pacolli.
“Është përgatitur sofra për me ngrenë darkë me fëmijët e mi, në atë tavernën aty. Në anën tjetër unë po i shoh deputetët e Republikës së Kosovës, nuk ua kam ditë emrat, por e kam njohur Goran Rakiqin. E kam kryer darkën dhe kemi dalë prej aty. Del Rakiqi prej aty, edhe vjen tek unë edhe thotë ‘A Behgjet, sa mirë që po të shoh?’. I kam thanë: ‘Prit, se e kam një befasi për ty, edhe e kam thirrë Agim Bahtirin, sepse ata janë shokë dhe takohen. Bile Agim Bahtiri m’u ka idhnu, se ka mendu që e kemi planifiku me u taku e s’e kam ftuar.” – vazhdon rrëfimi i Pacollit.
“Rakiqi më thotë, eja te ne, te jahti ynë për pije. Pa asnjë paragjykim, unë hyj aty. Të betohem dhe ta japë fjalën e nderit. E kam pi një pije. S’e kam ditë jahta e kujt ka qenë. Sa kemi qenë aty, ka ardhur një person tjetër dhe është ul. Askush s’e ka prezantuar si Millan Radoiçiq. Unë jam dal, i kam marrë fëmijët e mi dhe jam dal në qytet. Unë i kam njohur veç 3 njerëz aty: Rakiqin dhe dy deputetë.” – kishte thënë Pacolli.
Sipas tij, takimi kishte zgjatur vetëm 10 minuta dhe nuk e ka pasur ndonjë kërkesë ndaj tij.