Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti merr pjesë në fushatën 'Thuaju jo qeseve të plastikës'

Kryeministri Albin Kurti së bashku me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanollin kanë marrë pjesë sot në fushatën “Thuaju jo qeseve të plastikës”.

Kjo fushatë u organizua nga HANDIKOS dhe organizata “The Balkan Forum”.

Në këtë aktivitet simbolik edhe zyrtarisht janë prezantuar çantat e ripërdorshme të punuara tash e disa muaj nga personat me aftësi të kufizuara.

“Pra edhe duhet të kujdesemi për ata të cilët janë më të varfër, më të dobët, të sëmurë apo me nevoja të veçanta, por njëkohësisht edhe duhet ta kuptojmë që burimet natyrore janë të fundme dhe ato janë edhe mjedise jetësore, e jo vetëm lëndë e parë për teknologjinë”, tha kryeministri Kurti.

Kurti u shprehë se kanë për synim që të zvogëlojnë përdorimin e qeseve të plastikës.

“Sigurisht se duhet ta synojmë zvogëlimin e plastikës, e në veçanti të qeseve, duke pasur një ndjeshmëri që mbase marketet e mëdha e bëjnë shumë më shpejtë e më kollaj sesa shitësit e vegjël”, u shpreh kryeministri Kurti.

Ai shtoi se “Kur e kemi vullnetin dhe dijen do të mund ta fillojmë një program të tillë, që nënkupton edhe zbatim të ligjeve edhe ligje të reja, pikërisht në këtë mandat të cilin porsa e kemi filluar”, tha Kurti.

Në fund, kryeministri Kurti nuk pranoi të marrë pyetje nga gazetarët e pranishëm që përcollën këtë ngjarje.