Foto: ZKM

Kurti me videomesazh jep detaje për zëvendësimin e targave ilegale në targa RKS

Kryeministri i vendit, Albin Kurti i ka bërë thirrje qytetarëve që kanë veturave me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” dhe “ĐA” që t’i konvertojnë ato në targa RKS.

“Ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës, pronarë të veturave me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” dhe “ĐA” që t’i konvertojnë ato në targa RKS në dy muajt e ardhshëm gjatë të cilëve janë të liruar nga taksa e detyrime që arrijnë vlerën deri në 5,000 euro”- ka thënë ai.

Kurti përmes një video të publikuar në facebook, ka njoftuar qytetarët se nga sot deri më 31 tetor mund t`i regjistrojnë automjetet e tyre.

“Nga sot e deri më 31 tetor, për gjithsej 61 ditë në 34 qendra komunale të Regjistrimit të Automjeteve do ta zhvillojmë procesin e konvertimit të targave të veturave të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës”- ka thënë Kurti.

Sipas tij, në Kosovë janë gjithsej 401,945 vetura me targa RKS.

“Prej tyre dhjetëra mijëra janë me pronarë të komuniteteve pakicë. Ato që duhet të konvertohen përbëjnë vetëm rreth 2% të tyre”- ka theksuar ai.

Më 29 qershor, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që pronarët e automjeteve me targat ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’, që janë pajisur nga 10 qershori 1999 e deri më 21 prill 2022, t’u mundësohet regjistrimi i automjeteve me targat RKS.

Po atë ditë, Qeveria poashtu pati vendosur për reciprocitetin për letërnjoftim i cili ka filluar zbatimin sot.