Foto: ZKM

Kurti me shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë diskutojnë për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të pakicave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar sot me shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Michael Davenport, me të cilin ka diskutuar për fushën e mbrojtjes dhe respektimit të drejtave të pakicave.

Në këtë takim ambasadori Davenport ka thënë se është i kënaqur me dakordimin e arritur mbi udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energji.

“Davenport i kënaqur u shpreh edhe me procedimin e programit të Ballkanistikës në Universitetin e Prishtinë.  Ai po ashtu falënderoi kryeministrin për video-adresimet e tij të fundit në gjuhën serbe”, thuhet në njoftim.

Kurti dhe Davenport kanë folur për qendrat mësimore të dedikuara për pakicat.

“U fol për qendrat mësimore të dedikuara për pakicat si mekanizma të rëndësishme në uljen e numrit të fëmijëve rom, ashkalinj dhe egjiptian që braktisin shkollën dhe që mundësojnë integrimin e mëtejmë të tyre në sistemin arsimor”, thuhet në komunikatë.

Tutje Kurti ka folur për synimin e Qeverisë që rritja ekonomike të jetë e qëndrueshme dhe e barabartë.

“Kosova ka dëshmuar që zhvillimi ekonomik dhe qeverisja demokratike shkojnë krahas njëra-tjetrës dhe janë thelbësore për paqe të qëndrueshme, progres dhe mirëqenie sociale për të gjithë”, ka shtuar ai.