Foto: Islam Berisha/KALLXO.com

Kurti: Me ShBA-të kam raporte zyrtare shtetërore, se kush i ka raportet më mirë me Trumpin nuk e di

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar më 11.11.2024, se do të vazhdojë komunikimin dhe bashkëpunimin me cilëndo administratë që vjen në SHBA, pa marrë parasysh a janë demokratët ose republikanët në pushtet.

I pyetur nëse do të zhvillojë ndonjë telefonatë me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, Kurti tha se “ne bashkëpunojmë më ShBA në mënyrë të pazëvendësueshme dhe me gjithë përkushtimin dhe seriozitetin tonë”.

“Presidenti i ardhshëm i SHBA-së, në një letër urimi që i pati dërguar një pararendësi, para nesh, pat vendosur në thelb njohjen reciproke si diçka qendrore midis raporteve Kosovë dhe Serbi, dhe jemi të interesuar që këtë bashkëpunim ta zgjerojmë”- tha Kurti në një deklarim për media.

Ky deklarim i tij, vjen një ditë pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se ka biseduar në telefon me presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

“Sapo përfundova një bisedë me presidentin e sapozgjedhur amerikan, Donald Trump. Biseda ishte e shkëlqyer, me përmbajtje, dhe do të thosha shumë e përzemërt”, tha Vuçiq në Instagram.

Ai tha se ndihet “mirënjohës” ndaj Trumpit që “dinte shumë gjëra për Serbinë”.

I pyetur nëse ai ka raporte më të mira me Trumpin, apo presidenti i Serbisë, Kurti tha se bën raporte zyrtare shtetërore politike.

“Çlirimi na erdhi me presidentin demokrat, kurse pavarësinë [e fituam] kur në administratë ishte president një republikan. Kjo flet shumë”- ka thënë Kurti, duke theksuar bashkëpunimin që ka Kosova në fushën e mbrojtjes, ekonomisë dhe energjisë.

“Kush i ka raportet më mirë, unë nuk e di këtë gjë, nuk mund ta them tani. Ne duhet të punojmë me çdo administratë pa marr parasysh se cili kandidat. Këtë e kemi traditë që na kanë sjellë SHBA-të”- ka thënë Kurti, duke përmendur delegacionet amerikane që kanë ardhur në Kosovë gjatë periudhës së viteve 80-ta dhe 90-ta me përbërje nga demokratë dhe republikanë.

Trump është zgjedhur presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai do të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, pas fitores ndaj demokrates, Kamala Harris, e cila nuk ia doli të bëhej presidentja e parë grua në Amerikë.

Republikani Trump 78-vjeçar, ka siguruar votat e 270 anëtarëve të Kolegjit Elektoral, aq sa ishin të nevojshme për t’u bërë president.

Trumpi e ka shpallur fitoren dhe ka paralajmëruar lidership të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Donald Trump ka qenë president i SHBA-së nga viti 2017 deri më 2021.