Ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti. FOTO: Zyra e Kryeministrit.

Kurti me përgjigje pozitive që Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe t'i lejohet të hyjë në Kosovë

Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe pritet të hyjë në Kosovë në kuadër të përgatitjeve për festën e Krishtlindjes Ortodokse.

Kjo është bërë e ditur nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, e cila kanë njoftuar se sot në mesditë, ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, ka kërkuar nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, që t’i lejohet Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe që të hyjë në Kosovë, në kuadër të përgatitjeve për festën e Krishtlindjes Ortodokse.

Nga Zyra e kryeministrit kanë bërë të ditur se Patriarku Porfirije ka paralajmëruar se do të vijë pa truproje dhe se kryeministri Kurti ka dhënë përgjigje pozitive ndaj ardhjes së tij në Kosovë, pavarësisht se Patriarku Porfirije nuk ka bërë kёrkesё pёr vizitё.

“Patriarku Porfirije ka paralajmëruar që sot pasdite do të vijë te vendkalimi kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se dëshiron të hyjë pa truprojet e tij, edhe pse nuk ka bёrё kёrkesё pёr vizitё sipas dispozitave tё marrëveshjes ekzistuese. Ministrit Rashiq, kryeministri Kurti iu përgjigj pozitivisht” – thuhet në njoftim.

Përmes këtij njoftimi nga Zyra e kryeministrit kanë cilësuar se paralajmёrimi i Patriarkut Porfirije se planifikon tё hyjё pa truproje nё Kosovё është edhe një dëshmi e radhës se Kosova është vend më i sigurt se Serbia.