
Kurti: Me mosnënshkrim të marrëveshjes, Serbia dëshiron ta lë të hapur opsionin e pushtimit të Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se aleanca e fortë e Serbisë me Rusinë nuk është vetëm rrezik teorik për Evropën dhe Ballkanin Perëndimor, por është rrezik real, me të cilin Kosova, dhe jo vetëm, përballet rregullisht.
Në panelin e diskutimit të organizuar në Londër nga Instituti ‘’Chatham House’’ më 12.02.2024, ai ka shtuar se prezenca e Rusisë në Ballkan po rritet nëpërmjet Serbisë, dhe se në këtë kontekst “një marrëveshje e nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është më urgjente se kurrë”.
“Mosnënshkrimin e deritanishëm të marrëveshjes, kryeministri e cilësoi si shenjë të qartë të mungesës së mirëbesimit, i cili është i nevojshëm për të pasur siguri ligjore dhe zbatim të asaj për çka palët janë pajtuar. Për më tepër, kryeministri theksoi se refuzimi për të nënshkruar marrëveshjen nënkupton gjithashtu se Serbia dëshiron ta lë të hapur opsionin e invazionit në Kosovë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Qeveria e Kosovës, më 13.02.2024.
Siguria e Kosovës dhe mbështetja për të, sipas Kurtit, është baza mbi të cilën Kosova mund të vazhdojë të rritet.
Kryeministri Kurti ka nënvizuar se Serbia, apo cilido aleat potencial i Rusisë, nuk mund ta mbajë rajonin larg BE-së sepse kjo do t’i shërbente vetëm Rusisë dhe përpjekjeve të saj për ta ndarë përsëri kontinentin.
Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që të përsëriten sulmet e ngjashme si ai në Banjskë, gjatë të cilit, siç ka thënë ai, nga trupat paramilitarë serbë është vrarë polici Afrim Bunjaku.
“Ka gjasa të ketë sulm, por terroristët duhet të llogarisin në policët e Kosovës, në ushtarët e NATO-së që janë pafundësisht tolerantë. Dhe besoj se kjo është arsyeja kryesore pse ende s’kemi sulm tjetër si Banjska. Ata s’na sulmuan sërish sepse panë patrulla të përbashkëta të Kosovës dhe të NATO-s”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, Vuçiq me “agresivitetin e tij ndaj Kosovës”, po përpiqet të mbajë marrëdhënie të mira me Kremlinin.
“Gjegjësisht, Serbia e përdorë, e shfrytëzon agresivitetin e saj ndaj Kosovës për të mbajtur marrëdhënie të mira me Federatën Ruse dhe Kinën, sepse ndaj diktatorëve që nuk i besojnë askujt, duhet të provosh veten herë pas here. Dhe unë mendoj se kjo është ajo që po bën presidenti Vuçiq. Me agresivitetin e tij ndaj Kosovës ai po përpiqet të mbajë marrëdhënie të mira me Kremlinin”- është shprehur Kurti.
Andaj, ai tha se nga BE-ja duhet një qasje e cila nxitë përafrimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian mbi baza meritore, në vend se i gjithë rajoni të mbetet peng i një vendi të vetëm.
“Serbia me regjimin e saj autoritar po e mban të gjithë rajonin prapa”, u shpreh Kurti.
Gjatë fjalimit, Kurti ka veçuar faktin që liberalizimi i vizave që hyri në fuqi me 1 janar 2024, ka rritur interesimin e serbëve të Kosovë për t’u pajisur me pasaporta të Kosovës, si dhe konvertimin e suksesshëm në targa të Kosovës për vetura nga ato ilegale të Serbisë në mesin e pronarëve nga radhët e komunitetit serb në Kosovë.
Më 24.02.2023 Kurti dhe Vuçiq janë dakurduar për tekstin e Marrëveshjes Bazike për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Një muaj më pas palët, gjithashtu u dakorduan për aneksin e zbatimit të marrëveshjes.
Megjithëse, palët nuk e kanë nënshkruar marrëveshjen, blloku evropian ka theksuar në vazhdimësi që ajo është obliguese për të dyja.
Marrëveshja me 11 nene, parashihte një nivel të vet menaxhimit të komunitetit serb dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, duke kërkuar kështu nga Kosova dhe Serbia që gjithashtu të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura gjatë procesit të dialogut.