Kurti: Më befasoi vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë së është befasuar me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila e konsideroi jokushtetues vendimin e Qeverisë Kurti për kufizimin e lëvizjes.

“Jam befasuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, mirëpo do ta respektojmë. Po të thuhej se aktgjykimi do të zbatohet menjëherë, do të na bënte shumë dëm. Duket se ka qenë një vendim në siklet e sipër. Është interesant që na ka dhënë të drejtë se nuk ka nevojë të shpallet gjendje jashtëzakonshme dhe në anën tjetër e ka venë çështjen e Kuvendit se kinse na duhet një ligj për këtë gjë. Ne nuk është se nuk jemi bazuar në Ligj”, tha Kurti në KTV.

“Është Ligji për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, mirëpo Gjykata thotë se nuk mund të marrësh një vendim të tillë por Ministria e Shëndetësisë. Do ta respektojmë. Jemi me fat që na është dhënë afat deri më 13 prill”, tha Kurti.

Ai deklaroi se deri më këtë datë do të mendojnë për vendim të ri për parandalimin e përhapjes së coroanavirusit.