Kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq
Kurti: Me akuza të rreme se shqiptarët janë duke marshuar mbi urën e Ibrit, Vuçiq synon të krijojë atmosferë frike
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka reaguar në lidhje me disa akuza, të cilat, sipas tij, është duke i bërë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se shqiptarët po marshojnë mbi urën e Ibrit në Mitrovicë.
Sipas kryeministrit Kurti, akuzat e presidentit Vuçiq për shqiptarët në urën e Ibrit janë “të rreme” dhe se përmes tyre ai po synon të krijojë një atmosferë frike në Mitrovicë.
“Me akuza të rreme se shqiptarët janë duke marshuar mbi urë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq synon të krijojë një atmosferë frike dhe të shkaktojë një reagim nga KFOR në Mitrovicë, duke kërcënuar se nëse ata nuk përgjigjen, Serbia do të përgjigjet” – ka shkruar kryeministri Kurti në platformën “X” më 06.08.2024.
Në reagimin e tij Kurti ka theksuar se asnjë shqiptar nuk është duke marshuar mbi urën e Ibrit, siç pretendon, sipas tij, presidenti serb.
“Të gjitha planet për të hapur urën kanë synuar të nxisin bashkëveprim paqësor ndërmjet dy komuniteteve. Sidoqoftë, këto akuza të rreme janë shpesh pararendëse të një sulmi të planifikuar nga Serbia. Për sigurinë e të gjithëve, ata nuk duhet dhe nuk do të lejohen të hyjnë në territorin tonë” – ka përfunduar Kurti.
Synimi i autoriteteve të Kosovës për ta hapur për qarkullim edhe të automjeteve Urën e Ibrit në Mitrovicë ka përplasur sërish autoritetet kosovare me përfaqësuesit e vendeve perëndimore.
“Hapja e urës i ndihmon si njerëzit në të dyja anët e Ibrit, gjithashtu edhe tregtinë, ekonominë, bashkëpunimin” – tha kryeministri Albin Kurti më 18.07.2024, një ditë pas takimit që mbajti me ambasadorët e QUINT-it për këtë çështje.
Lidhur me veprimet për hapjen e Urës, misioni paqeruajtës në Kosovë, KFOR, ka bërë të ditur se herët në mëngjes, më 06.08.2024, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, është njoftuar nga drejtori i Policisë së Kosovës për një inspektim teknik në urën kryesore mbi lumin Ibër.
Megjithatë, Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Europian, tha që rihapja e urës është çështje dialogu dhe çdo vendim për hapjen e saj duhet të merret në dialog.
BE u bëri thirrje të gjitha palëve të interesuara të përmbahen nga çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm.
Edhe misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë thirrje që çdo vendim lidhur me urën kryesore mbi lumin Ibër të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.
“Ne përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shtetet e Bashkuara, u takuam me kryeministrin Kurti për ta informuar që qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim të statusin aktual të urës së Mitrovicës, aktualisht”- ka thënë ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, më 02.08.2024 pas takimit me kryeministrin Albin Kurti.
Më 01.08.2024, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas deklaratës të Bashkimit Europian, i cili tha se çështja e hapjes së urës së Ibrit duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë.
Osmani tha se çështja e urës nuk duhet assesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë.
Sipas presidentes, një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në Kosovë.
Më 31.05.2024, asamblistët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, kanë kërkuar që të zbatohet një vendim i marrë vitin e kaluar për hapjen e Urës së Ibrit.
Vendimi për hapjen e urës është marrë në prill të vitit 2023, por nuk janë marrë asnjëherë hapa drejt zbatimit të tij.
Kjo urë ka një sërë historish për vite me radhë. Rivitalizimi 1.5 milionësh ishte përfunduar nga Bashkimi Europian më 2018.
Ura mbi lumin Ibër ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe, qysh prej vitit 1999.
Është pikërisht Plani i Ahtisaarit, baza mbi të cilën Kosova e shpalli pavarësinë e saj më 2008 dhe parashikoi ndarjen e Mitrovicës në dy komuna.
Megjithatë, pak vite pas shpalljes të pavarësisë së Kosovës, përkatësisht në vitin 2011, serbët lokalë vendosën në urën e Ibrit disa barrikadat si kundërshtim ndaj autoriteteve të Kosovës.
Ndërsa dy vite më pas, më 2013, më saktësisht duke u bazuar në ligje të Kosovës, u formua Komuna e Mitrovicës së Veriut.
Në vitin që u arrit marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për heqjen e barrikadave, më 2014, vendi u quajt “Parku i Paqes” duke i zëvendësuar barrikadat me copa betoni dhe me pemë. Por, parku nuk ishte jetëgjatë, pasi që u largua në vitin 2015.
E derisa ura vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullim të automjeteve, karabinierët qëndrojnë në të dy anët e saj të “përkushtuar për një ambient të qetë dhe të sigurt”.