Kurti mbledh krerët e organeve të drejtësisë e sigurisë, diskuton për dhunën në famije

Dhuna në familje ishte temë diskutimi në takimin e sotëm mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe krerëve të organeve të drejtësisë.

Kurti ka bërë të ditur se sot është takuar me Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u.d. të Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, Drejtorin e Policisë, Rashit Qalaj, Kryeshefen Ekzekutive të Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia, Kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, Drejtorin e Departamentit të Hetimeve, Riza Shillova dhe Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj.

Zyra e kryeministrit ka bërë të ditur se takimi me këta akterë relevantë ishte i natyrës konsultative, si rrjedhojë e shqetësimeve të ngritura së fundmi në lidhje me numrin e madh të rasteve të dhunës në familje dhe përdhunimeve të shtuara.

“Me ardhjen e pandemisë, është vënë në dukje një rritje e konsiderueshme e këtyre rasteve në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo është shqetësuese për të gjithë ne si shoqëri, andaj sot diskutuam për nevojën e menaxhimit sa më të mirë të kësaj situate”, ka thën Kurti.

“Qeveria është e përkushtuar që të punojë në ngritjen e përgjegjësisë institucionale në lidhje me adresimin e rasteve të tilla”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.