Kurti mban ligjëratë në Universitetin DePaul: Kosova duhet të mbështetet që pa vonesë të bëhet anëtare e NATO-s dhe BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova duhet të mbështetet që pa vonesë të bëhet anëtare e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.

Në ligjeratën e mbajtur në Katedrën e Albanologjisë “Hidai Eddie Bregu” të Universitetit DePaul, në Chicago, Kurti tha se Kosova është historia e suksesit demokratik të rajonit.

“Kosova është historia e suksesit demokratik të rajonit dhe për këtë arsye duhet të mbështetet që të bëhet anëtare e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe organizatave të tjera ndërkombëtare dhe rajonale pa ndonjë vonesë të mëtejshme”, citohet të ketë thënë Kurti.

Duke folur për sulmin dhe invazionin e paprovokuar të Federatës Ruse ndaj Ukrainës, ai tha se imazhet nga kjo luftë për neve janë veçanërisht të dhimbshme.

“Ushtarë vrasës gjakftohtë që torturojnë, përdhunojnë dhe vrasin pa dallim; Kufomat e djegura dhe varrezat masive janë imazhet dhe vuajtjet e Kosovës njëzet e tre vjet më parë dhe të Ukrainës sot”, tha kryeministri.

Ai shtoi se kjo është arsyeja pse ne kemi treguar solidaritet me Ukrainën dhe popullin e saj që nga dita e parë e sulmit.

Sa i përket përpjekjes së Kremlinit për të përdorur Kosovën si një precedent për veprimet e Rusisë në Ukrainë, sipas Zyrës së Kryeministrit, Kurti tha se nuk është gjë tjetër veçse një gënjeshtër, nuk ka dëshmi të dhunës sistematike kundër rusëve etnikë në Ukrainë, dhe se krahasimi me Kosovën është shumë i largët për të pasur ndonjë vlerë kritike.

“Të përdorësh Kosovën si shembull për të justifikuar ndërhyrjen në Ukrainë nuk është gjë tjetër veçse injorancë dhe sulm i drejtpërdrejtë ndaj së vërtetës, njerëzimit dhe mendjes së shëndoshë. Tregon një shpërfillje të plotë për të drejtën ndërkombëtare dhe për përgjegjësinë për të mbrojtur normat jetike ndërkombëtare që synojnë të sigurojnë që komuniteti ndërkombëtar nuk do të dështojë më kurrë në ndalimin e krimeve të gjenocidit, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit”, citohet të ketë thënë tutje Kurti.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, Kurti gjithashtu ka thënë se  23 vite pas intervenimit të NATO-s në Kosovë, Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor.

Në përmbyllje të ligjëratës, kryeministri Kurti tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri dhe miku më i ngushtë i Kosovës dhe se lidhja jonë është e fuqishme edhe për shkak se ndajmë vlerat e përbashkëta të lirisë dhe demokracisë dhe bindjen e thellë se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe duhet të kenë të drejtë të barabartë për të kërkuar lumturinë, lirinë dhe autonominë për të ndjekur të vërtetën.