Kurti: Materiali arkivor i mbajtur nga strukturat ilegale do të përdoret për qëllime hulumtuese
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se materiali arkivor i mbajtur ilegalisht nga strukturat ilegale të Serbisë, do të mund të përdoret për nevoja dhe qëllime hulumtuese.
“Bashkëpunim efikas ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës. Materiali arkivor që në masë të madhe i takon periudhës 1943-2000, e që për gjithë këto vite është mbajtur ilegalisht nga komunat paralele dhe strukturat tjera ilegale të Serbisë, pas përpunimit nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës do të mund të përdoret për nevoja dhe qëllime hulumtuese”- ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook, më 12.09.2024.
Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës (ASHAK) ka bërë të ditur më 11.09.2024, se materiale arkivore të sekuestruara në komunat në veri të vendit janë sistemuar në këtë agjenci.
Sipas ASHAK-së materiali arkivor është pranuar-dorëzuar nga Policia e Kosovës në përputhje me procedurat e parashikuara në Ligjin Nr.08/L-111 për Arkivat dhe aktet nënligjore dhe është vendosur/deponuar në vendruajtjet e ASHAK -së. ASHAK thotë se në masë të madhe materiali arkivor i pranuar në ASHAK, i takon viteve 1944 – 2000.
Procesi i pranim-dorëzimit, të këtij materiali është mbikëqyrur nga inspektorët dhe udhëheqësit e ASHAK dhe ky material do t’i nënshtrohet procedurave të përpunimit, rregullimit dhe digjitalizimit dhe përfundimisht, dhe siç thuhet më tej në njoftim, do t’i bashkohet fondeve arkivore sipas parimeve, kritereve dhe normave profesionale të arkivistikës.
Transferimi i këtij materiali në AHSK po konsiderohet i rëndësishëm, pasi siç thuhet në njoftim tashmë ka një progres të ndjeshëm në bashkimin e fondeve arkivore si detyrim i ruajtjes dhe administrimit efikas.
Gjithashtu, ASHAK, bënë të ditur se duke u bazuar në faktin se Ligji Nr.08/L–111 për Arkivat, nuk lejon më arkiv të qytetit, të marrë masa që arkivat që për momentin funksionojnë me komunat, të barten/transferohen në strukturën e arkivave ndërkomunale.
Më 30.08.2024, gjatë një aksioni të përbashkët të institucioneve të Kosovës janë mbyllur pesë institucione paralele serbe në komunat veriore, dhe sekuestroi : Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.