Kurti: Marrëveshjet me Maqedoninë e Veriut do të implementohen, madje edhe ato që të tjerët s'i zbatuan

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas mbledhjes me Maqedoninë e Veriut ku u nënshkruar disa marrëveshje, u pyet për implementimin e marrëveshjeve të arritura, duke i krahasuar marrëveshjet e më hershme me Shqipërinë.

Kurti u shpreh i bindur se përveç këtyre marrëveshje do të mund të zbatohen edhe ato që nuk janë zbatuar deri tani.

“Me vullnetin që kemi, me profesionalizmin e ekipeve tona jam i bindur që të gjitha këto marrëveshje do të zbatohen, mbase do të fillojnë të zbatohen dhe marrëveshje që të tjerët i kanë lënë që kanë qenë të mira. Jam i bindur se nuk do të ketë nevojë për përfundim të mandatit, që të flasim për moszbatim, por vetëm për të arriturat tona të përbashkëta në secilën prej fushave”, tha Kurti.

Kurti po ashtu në këtë konferencë tha se është një mbledhje historike mes dyja vendeve.

“Kjo mbledhje ishte për ta intensifikuar dhe zgjeruar bashkëpunimin në shumë fusha.  Kjo mbledhje është shprehje e vullnetit për të shënuar një etapë të re të bashkëpunimit, por edhe shprehje e vlerësimit të marrëdhënieve tona fqinjësore”, tha Kurti më tej.

Sipas Kurti, Kosova deri tani ka pasur 42 marrëveshje memorandume nënshkruara.

“Sot nënshkruam edhe 11 marrëveshje bashkëpunimi në fusha të ndryshme, diaspora, turizmi, energjia, ekonomia, bujqësia, ndërmarrësi dhe inovacioni, siguri etj. Ndër to është edhe memorandumi bashkëpunimit i formimit të një komisioni të përbashkët për rrugën Prizren -Tetovë, aks tejet i rëndësishëm për ne”, shtoi Kurti.

Qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, të enjten, në Shkup në kuadër të seancës së përbashkët, kanë nënshkruar 11 marrëveshje bashkëpunimi.

Marrëveshjet kanë të bëjnë me sfera të ndryshme bashkëpunimi.

Të dyja vendet nënshkruan: Marrëveshjen për studimin e fizibilitetit për rrugën Prizren–Tetovë, marrëveshjet për bashkëpunim në sferën e diasporës, rregullimin kufitar të komunikacionit hekurudhor, bashkëpunim në sektorët e energjisë, turizmit, kontrollit të mallrave strategjike, inovacionit, zhvillimit teknologjik dhe ndërmarrësisë, dhe në qeverisje lokale.

Kjo është mbledhja e parë e përbashkët mes qeverive të dy vendeve.