Albin Kurti në Ohër, Foto: KALLXO.com

Kurti: Marrëveshja e Ohrit nuk sjell autonomi për serbët, sjell njohjen 'de facto' nga Serbia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se marrëveshja e Ohrit nuk sjell autonomi për serbët e Kosovës, por sjell njohjen ‘de facto’ nga Serbia.

“Nuk ka kurrfarë autonomie për serbët lokalë në Kosovë. Ata janë qytetarë, unë jam kryeministër i tyre. Në nenin 7 flitet për menaxhim të komunitetit, kjo do të thotë që kemi referencë tek marrëveshja kornizë e Këshillit të Evropës për pakicat kombëtare. Nuk ka vetadministrim, nuk ka vetëqeverisje, dhe ka veçse njohje de faco ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”- tha Kurti.

Në një intervistë në Top Channel, Kurti ka theksuar se për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, ndërkombëtarët duhet të bëjnë presion mbi Serbinë.

“Unë besoj që është e domosdoshme të bëhet më shumë trysni në Beograd meqenëse Beogradi ka dëshmuar që këtë gjuhë e kupton më së miri. Serbia nuk është shtet demokratik, atje pushteti bën trysni mbi popullin e vet, atje nuk pranojnë pluralizëm politik, atje nuk respektohen të drejtat dhe nuk sundon ligji mbi politikën por politika mbi ligjin”- tha Kurti.

“Vetëm një përpjekje e përbashkët me trysni shtesë edhe nga ana e Brukselit edhe nga ana e Uashingtonit, por do të thosha sidomos një trysni nga Parisi, Berlini e Roma, do të mund të sjellë rezultate, është e domosdoshme kjo”- theksoi ai.

Sipas Kurtit, Serbia ka qenë e ulur në 4 karrige, dhe tani është momentumi që BE t’ia tregojë vendin.

“Gjatë dy viteve, Serbia në veçanti ka synuar që të marrë para nga BE, armatim nga Rusia, investime nga Kina dhe tolerance nga SHBA, pra në njëfarë mënyre të ulet në katër karrige, Perëndimi duhet t’i tregojë që nuk është e mundur kjo”- theksoi ai.

Më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian kanë arritur dakordim për ankesin e zbatimit të planit të Bashkimit Evropian.

Ky plan nuk është nënshkruar si marrëveshje nga palët, për çka kryeministri Albin Kurti ka thënë se pala serbe nuk ka qenë e gatshme.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara janë deklaruar se pavarësisht se nuk është firmosur, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Dokumenti kërkon, gjithashtu nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, e cila është kërkuar me ngulm si nga Serbia ashtu edhe nga ndërkombëtarët.

BE: Në ditët në vijim nisim me hapat e parë të fazës së zbatimit të marrëveshjes