Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti: ‘Manifesta’ është një mundësi e mirë e promovimit të vlerave të Kosovës

Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e 89-të të Qeverisë së Kosovës ka thënë se festivali “Manifesta” është një mundësi e mirë për të promovuar vlerat, artin dhe vendin.

Sipas Kurtit, organizimi i kësaj ngjarje është dëshmi e shoqërisë për të mirëpritur një numër të madh të artistëve dhe për të shndërruar kryeqytetin në hapësirë të artit bashkëkohor.

“Organizimi i kësaj ngjarje është dëshmi e aftësisë së shoqërisë tonë, të komunitetit artistik dhe institucioneve tona për të mirëpritur një numër kaq të madh të artistëve dhe për të shndërruar kryeqytetin në hapsirë të artit bashkohor . Manifesta do të jetq një mundësi tjetet e mirë e promovimit të vlerave, të vendit dhe të artit tonë”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se Kosova nga e premtja do të jetë nikoqire e “Manifestës”.

“Nga e premtja vendi ynë për herë të parë  do të jetë nikoqir i “Manifestës” që ka një program 100 ditor që përfshinë 25 lokacione, 55 intervenime artistike dhe 102 pjesëmarrës vendor e ndërkombëtar”, tha Kurti.

Në Prishtinë nga pjesa e dytë e muajit korrik pritet të nisë festivali i artit bashkëkohor “Manifesta” që do të zgjasë deri në nëntor.

Tutje, kryeministri përsëri ka uruar Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Dje ishte ditë e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor, edhe njëherë i uroj Shqiprisë dhe Maqedonisë së Veiut, ne i gëzohemi arritjes historike të të dyja vendeve” , deklaroi Kurti.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria më 19 korrik hapën zyrtarisht negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Hapja e bisedimeve për Shkupin dhe Tiranën vjen pasi më 16 korrik, Kuvendi maqedonas miratoi një propozim francez që mundësoi heqjen e vetos së Bullgarisë për nisjen e bisedimeve me Shkupin.