Kurti - Macronit për dialogun: Europa nuk mund të zëvendësohet nga ndonjë kontinent tjetër

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti mbrëmë ka biseduar përmes telefonit me presidentin francez, Emmanuel Macron.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti e ka falënderuar presidentin Macron dhe qeverinë franceze për mbështetjen që i kanë dhënë Franca dhe Bashkimi Evropian Kosovës në luftën kundër COVID-19.

“Ndihma evropiane e caktuar për Kosovën filloi me 5 millionë euro dhe do të ka kap vlerën e përgjithshme prej 68 milionë eurosh”, thuhet në njoftim.

Kurti e ka informuar presidentin Macron për masat e marra prej Qeverisë dhe rezultatet dhe se beteja kundër virusit COVID-19 mbetet prioritet i drejtpërdrejtë i Qeverisë në detyrë.

Kryeministri në detyrë Kurti e ka falënderuar gjithashtu presidentin Macron për deklaratën e përbashkët franko-gjermane në lidhje me mocionin e mosbesimit në kushtet e tanishme.

Kurti nënvizoi se zbrazëtira e krijuar nga ky mocion nuk mund të mbushet, as kriza politike nuk mund të tejkalohet, veçse nëpërmjet zgjedhjeve të reja, e vetmja mënyrë legjitime dhe legale për vënien në jetë të një qeverie të re.

“Çdo përpjekje tjetër për të prodhuar ndryshe ndonjë qeveri në gjendjen aktuale të gjërave do të kalojë përmes udhëve antikushtetuese. Zgjedhjet e reja politike janë të mundshme vetëm pas zgjidhjes së krizës shëndetësore”, ka potencuar Kurti.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, presidenti Macron shprehu aprovimin për trajtimin e krizës shëndetësore prej qeverisë kosovare.

Macron dhe Kurti folën për dialogun dhe angazhimin përkatës për një përgatitje të vërtetë dhe për një pjesëmarrje të vërtetë të palëve në këtë dialog.

Në këtë perspektivë, presidenti Macron shprehu mbështetjen e tij për rifillimin e qarkullimit të mallrave mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai premtoi rritjen e rolit të Francës dhe të atij vetë në lehtësimin e dialogut.

Ky do të jetë, sipas tij, edhe synimi i samitit të Parisit për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, samit i organizuar nën drejtimin e Francës dhe Gjermanisë, me Bashkimin Evropian, sapo të krijohen kushtet e duhura.

Kryeministri në detyrë Kurti premtoi, nga njëra anë, se Europa nuk do të ketë kurrë surpriza, ngaqë qeveria e tij sheh në zbatimin e reciprocitetit zbatimin efektiv edhe të asaj çka përmbahet në marrëveshjet e Brukselit, dhe gjithashtu realizimin e premtimeve të bëra para zgjedhësve.

Nga ana tjetër, ai nënvizoi faktin se efektiviteti i dialogut varet nga pjesëmarrja e Evropës.

“Europa nuk mund të zëvendësohet nga ndonjë kontinent tjetër, dhe as Franca nga ndonjë shtet tjetër. Europa është edhe mjedisi edhe perspektiva e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shtuar Kurti.​