Kurti – Limajt: Mësimi që nuk mësohet duhet të përsëritet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka replikuar ndaj deputetit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Kurti i tha Limajt se “mësimi që nuk mësohet duhet të përsëritet”, pasi paraprakisht Limaj kërkoi ta di nga Kurti se cili është qëndrimi për tarifën ndaj Serbisë dhe i partnerëve të koalicionit.

E për këtë Kurti tha se duhet ta lexojë edhe njëherë nga fillimi fjalimin.

“Mësimi që nuk mësohet, duhet të përsëritet, më lejoni ta rilexoj çka kam thënë. Pasi të hiqet tarifa me 15 mars 2020, ajo çka kam deklaruar në konferencë është se pika ftojmë Serbinë që si përgjigje ndaj këtij vendimi të zotohet se do ta ndërpresë për çnjohjen e Pavarësisë së Kosovës  dhe eliminimin e barrierave tregtare ndaj Kosovës, më qartë s’ka ku shkon”, tha Kurti.

Kurti po ashtu i tha Limajt se nuk do t’i shkojë deputetëve me polici kur kanë kundërshtime.

“Nga unë s’do të keni kurrë arrogancë. Unë s’ju vi deputetëve me polici, unë ju vi me idetë e mia, nganjëherë pajtohemi, nganjëherë jo”, tha Kurti.

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj në seancën e jashtëzakonshme për tarifën 100 për qind i ka thënë kryeministrit Albin Kurti se e ka humbur mundësinë e negocimit me Serbinë.

Limaj i ka thënë Kurtit ta marrë udhëheqjen e dialogut, duke ia përmendur edhe presidentin, Hashim Thaçi.

Limaj – Kurtit: T’u ka bë sëmundje Kadri Veseli

Kjo seancë është thirrur me kërkesë të 41 deputetëve të opozitës.

Kryeministri Kurti ka paralajmëruar se më 15 mars do ta heqë tarifën ndaj lëndës së parë nga Bosnja e Serbia.

Tarifa ndaj mallrave serbe u vendos në nëntor 2018 nga ish-Qeveria Haradinaj. Ky i fundit ka bërë thirrje disa herë që tarifa të mos hiqet deri në njohjen e Kosovës shtet nga Serbia.