Kurti: LDK-ja pa Vjosa Osmanin s’do të dilte e dyta

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë  se Lidhja Demokratike e Kosovës pa Vjosa Osmanin si kandidate për kryeministre nuk do të dilte e dyta në zgjedhjet e 6 tetorit 2019.

“LDK s’e kanë pranuar faktin që  pa Vjosa Osmanin s’do të dilnin të dytët dhe mosnjohja e vlerës së Vjosa Osmanit dhe fitores së LVV-së janë shkëmbi që na patë dalë në rrugë dhe na ndau në rrugë”, ka deklaruar Kurti në KTV.

“E kam ndje në negociata njëfarë sikleti të madh nga LDK, pse LVV doli e para. Ata kanë qenë të bindur se do të dalin të parët,  sa që asnjëherë nuk kanë dashur as vetes as dikujt tjetër t’ia pranojnë që kanë dalë të dytët”, ka shtuar ai.

Në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, LVV doli partia e parë, kurse LDK e dyta.

Këto parti pas 4 muajsh nga dita e zgjedhjeve arritën koalicionin, por kjo Qeveri u rrëzua nga LDK përmes një mocioni të mosbesimit pas mospajtimeve që i patën për largimin e tarifës ndaj Serbisë dhe shkarkimit të ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu.