Kryeministri Albin Kurti dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë - Serbi, Mirosllav Lajçak - Foto: ZKM

Kurti largohet nga seanca, shkon të takohet me Lajçakun

Kryeministri i vendit, Albin Kurti është duke zhvilluar takim me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Kështu ka deklaruar zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu i cili ka arsyetuar largimin e Kurtit nga seanca e Kuvendit të Kosovës.

“Kryeministri Kurti nga ora 14:00 po zhvillon takimin me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian, Lajçak që po qëndron në Kosovë. Pastaj vazhdon agjendën ditore të takimeve zyrtare. Kjo është arsyeja se pse nuk mund të qëndronte më gjatë në Kuvend”, ka shkruar Kryeziu.

Sipas tij, gatishmëria e kreut të ekzekutivit për të debatuar me deputetët nuk ka munguar dhe sdo të mungoj asnjëherë.

Një takim i tillë Kurti-Lajçak nuk është paralajmëruar nga Qeveria e Kosovës.

Lajçak qëndroi të premten në Kosovë së bashku me këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne.

Largimin e Kurtit nga seanca e Kuvendit e kritikoi, deputeti dhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi,  i cili e quajti “frikacak”, kryeministrin Kurti.

“Po me kë më repliku me këtë tuc (frikacak), se ky tuc ka le (lind), tuc ka jetu, tuc ka me dalë prej këtu se ky është tuc që ka ikë prej njerëzve, ikë prej sindikatave, tash ikë edhe prej deputetëve, por ma e rënda është që ky ëhstë tuc që ikë prej të vërtetës, pikë”- tha Krasniqi.

“Doli këtu e lëshoi ‘një grusht miza’ dhe iku se s’mundet me u ballafaqu me të vërtetën dhe ia tham qysh në fillim se ky e ka veç të vërtetën e vet dhe krejt na jetojmë veç në imazhin e Albin Kurtit dhe jashtë atij imazhi s’ka të vërtetë, s’ka jetë, s’ka nder, s’ka drejtësi, s’ka kurrgjë. Se veç ky është e drejta dhe e vërteta absolute. Dhe kjo është arsyeja që Kosova ka ardh në këtë deregje (gjendje)”- shtoi kreu i PDK-së.