Kurti: Kushtëzimi me Manastir të Deçanit nuk është punë e mençur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk ka marrë asnjë shkresë zyrtare që vendet e QUINT-it po kushtëzojnë Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës me zbatim të vendim të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

“Ne nuk kemi marrë asnjë kërkesë zyrtare asnjëherë për një kushtëzim të tillë, dhe konsideroj që kushtëzimi nuk është punë e mençur. Le të trajtohet një herë aplikacioni ynë para çfarëdo kushte në të ardhmen. Ne i përmbahemi drejtësisë, por në politikë ka nevojë edhe për dialog”, tha Kurti në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë.

Sa i përket vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ai ka thënë se pushtetet janë të ndara.

“Nuk është që ne e bëjmë ndonjë pazar ma jep këtë ta jap atë, ne e mbajmë qëllimin tonë për t’u anëtarësuar. Ne e mbrojmë vetëm qëndrimin tonë parimor. Sa i përket aktgjykimit të gjykatës, pushtetet janë ndarë, pse kaq shumë kërkesë qe të ndërlidhet. Vazhdimisht na është kërkuar që të mos përzihemi në shtyllat tjera, mirëpo në këtë rast na kërkohet që të jemi aty pranë. Ne jemi një organ tjetër jo vetëm për nga shkalla por edhe nga natyra. Qeveria e Republikës së Kosovës i mbahet drejtësisë, nuk angazhohemi në logjikë pazaresh me askënd, kaq është thelbi i kësaj gjëje”, shtoi Kurti.

Kurti ka deklaruar se ka kërkuar nga priftërinjtë që të nisin një dialog, por thotë se ata nuk po e pranojnë këtë gjë.

“I kanë pritur në takim te gjithë kryeministrat para meje, por vetëm mua nuk kanë pranuar”, tha Kurti.

Procesi gjyqësor për çështjen se kujt i takojnë 24 hektarë tokë dhe pyje – ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” apo Manastirit mesjetar të Deçanit – zgjati nga viti 2000 deri në vitin 2016, kur Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të Manastirit.

Gjykata Kushtetuese, asokohe, hodhi poshtë vendimin e Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, të vitit 2015, për kthimin e lëndës në Gjykatën Themelore në Deçan dhe konstatoi se vendimi i mëparshëm i Gjykatës Supreme i vitit 2012, i cili vërtetonte pronësinë e Manastirit mbi tokën e kontestuar, është “res judicata”, apo gjykim i formës së prerë.

Në fund të shtatorit të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese e Kosovës deklaroi se vendimi i saj nuk ishte zbatuar dhe i bëri thirrje Prokurorisë së Shtetit të Kosovës që të ndërmarrë veprime të mëtejme, në përputhje me kompetencat e saj ligjore.

Ndërkombëtarët vazhdimisht kanë kërkuar nga Kosova që të zbatohet një vendim i tillë e Kushtetueses.

Në anën tjetër, Kosova më 12 maj ka aplikuar në Këshillin e Evropës.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.