Kurti: Kushtetuta e Kosovës lë shumë për të dëshiruar

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kushtetuta e Kosovës lë shumë për të dëshiruar që nga mënyra e hartimit e deri të mangësitë dhe pabarazitë, dhe që sipas tij, Kushtetuta është themel i Republikës vetëm atëherë kur Republika është thelb i Kushtetutës.

“Kushtetuta e shtetit i paraprinë pushtetit, ajo është si dyshemeja ashtu edhe tavani i qeverisjes demokratike dhe i funksionimit e i rregullimit institucional, por Kushtetuta e Republikës së Kosovës lë aq shumë për të dëshiruar, që nga mënyra e hartimit e deri te mangësitë dhe pabarazitë. Kushtetuta është themel i Republikës vetëm atëherë kur Republika është thelb i Kushtetutës”, ka shkruar Kurti në rrjetin social “Facebook”.

Kurti e ka përmendur edhe aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, në të cilën konstatohet se vendimi i Qeverisë për kufizimin e lëvizjes është “jo-kushtetutes”.

Ai ka thënë se do ta respektojnë këtë aktgjykim, që pas 13 prillit masat e ndërmarra mos të bien në kundërshtim me “ngrehinën aktuale juridiko-kushtetuese”.

“Megjithëkëtë, kushtetutshmëria është vlerë që duhet respektuar përditë përveçse tekst betimi që shqiptohet një herë. Andaj sot me 9 prill shënojmë ditën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës në përvjetorin e saj të dymbëdhjetë. Andaj do ta respektojmë aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, që pas 13 prillit masat e ndërmarra kundër shpërndarjes pandemike të COVID-19 të mos bien në kundërshtim me ngrehinën aktuale juridiko-kushtetuese të Republikës sonë. Natyrisht, gjithmonë duke përmbushur obligimin tonë për mbrojtur deri në maksimum jetën dhe shëndetin e qytetarëve tanë, si dhe mirëqenien ekonomike të bizneseve dhe punëtorëve të vendit”, ka shkruar tutje Kurti.