
Kurti: Kurrë Kosova nuk ka marrë më shumë grante e donacione nga bashkësia ndërkombëtare sesa tani
Kryeministri i Kosovës dhe kandidati për kyeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se”raportet me bashkësinë ndërkombëtare nuk kanë qenë asnjëherë më të mira se sa në qeverisjen e tij”.
Kjo për shkak se sipas tij, Kosova asnjëherë nuk ka pranuar grante e donacione nga bashkësia ndërkombëtare më shumë se tani.
Kështu u shpreh Kurti në një intervistë për televizionin Top Chanel Albania, të shtunën, më 08.02.2025.
“Kurrë Kosova nuk ka marrë grante e donacione nga bashkësia ndërkombëtare sesa tani. Nuk ka kryeministër para meje i cili ka pasur më shumë vizita, takime e pritje të liderëve botëror sesa unë”- tha ai.
Ndërsa, sa i përket marrëdhënieve me shtetin e Serbisë, Kurti u shpreh se vendi “ka pësuar” nga marrëveshjet e nënshkruara nga kryeministrat paraprak që udhëheqën Dialogun Kosovë-Serbi.
“Serbia më thotë “ti më ke borxh se ish-kryeministri yt ka nënshkruar”. Unë nuk kam probleme me Serbinë në negociata që nuk m’i kanë shkaktuar pararendësit e mij”- deklaroi Kurti.
Ndërsa, ai foli edhe për vrasjet e policëve në veri të vendit pas luftës në Kosovë, për çka se sipas tij, pas rastit të sulmit të 24 shtatorit në Banjskë, situata është menaxhuar shumë më mirë se në rastet e sulmeve të tjera të Serbisë ndaj Kosovës.
“Na e vranë Enver Zymberin, një polic në vitin 2011, por tash kur na e vranë Afrim Bunjakun, janë vra tre terroristë, janë disa terrosirstë në burg dhe të tjerët kanë ikë në Serbi. Më mirë në burg në Kosovë se të lirë në Serbi, por megjithatë më mirë të lirë në Serbi se të lirë në Kosovë, pra ka një avancim”- deklaroi Kurti.
Gjatë kësaj interviste Kurti u pyet lidhur me ftesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për intervistim, të cilës kishte refuzuar t’i përgjigjej.
“Unë guxoj të ju them “nuk vij”, t’a shohim a guxojnë ata të vijnë”- tha Kurti.
Ndërkaq me akuza i’u drejtua edhe Këshillit Prokurorial të Kosovës.
“Prokuroria ka shumë prokurorë të mirë, mirëpo ata i lënë poshtë. Këshilli Prokurorial i Kosovës është kupola lart, e cila vetëm njerëzve të vet, të klikës së tyre, u’a ndanë rastet e kur është para dështimit i’a jep ndonjë prokurori të mirë që të dal keq”- tha Kurti.
Për këtë, Kurti u shpreh se prokuroria nuk ka ngritur asnjë aktakuzë nga 250 kërkesa për kallëzime penale që thotë se i kanë bërë si qeveri.
“Nga 250 kërkesa dhe kallëzime penale, një aktakuzë nuk e ngritën, a kur vie puna për rezerva shtetërore për rreth 20 mijë euro, a është tharë një çikë gruri nga Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, te Rozeta Hajdari përditë prokuroria për 20 mijë euro aty”- u shpreh Kurti.
Kryeministri, ende në detyrë, u pyet edhe për mediat në Kosovë, për të cilat deklaroi se “shumica e tyre janë me agjenda partiake”.
“Mediat në Kosovë nuk janë në hall nga qeveria, janë në hall nga korporatat, nga biznesi, nuk i’a mbyll unë gojën askujt, ata ankohen pse nuk ju shkoj unë në studio ama nuk mund t’a gjesh një gazetar, një redaktor, kryeredaktor që thotë “se më thirri në telefon kryeministri Kurti”- tha Kurti.