Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti: Kur të kthehem nga Brukseli do publikohet programi qeverisës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se pasi të kthehet nga Brukseli, do ta publikojë programin qeverisës për katër vitet e ardhshme.

Ai përmes një postimi në Twitter ka konfirmuar se kabineti i tij  është në ditët e fundit të finalizimit të programit qeverisës për 4 vitet e ardhshme dhe se do të paraqitet në Kuvend për miratim gjatë javës së ardhshme.

“Ne jemi në ditët e fundit të finalizimit të programit qeverisës për 4 vitet e ardhshme, i përqendruar në investime për krijimin e vendeve të punës dhe drejtësinë për të luftuar korrupsionin. Menjëherë pasi të kthehem nga Brukseli javën tjetër, ne do të paraqesim programin në Kuvend për miratim dhe do të fillojmë agjendën tonë transformuese”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti javën e ardhshme do të zhvillojë vizitë zyrtare në Bruksel, ku do të takohet me përfaqësuesit e institucioneve të Bashkimit Evropian./21Media