Kurti kundërshton marrëveshjen e Uashingtonit, por mirëpret njohjen nga Izraeli

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mirëpritur njohjen e Izraelit për Kosovën, e cila ka ardhur në kuadër të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington, ndonëse takimin dhe marrëveshjen në fjalë më 4 shtator në SHBA, Kurti e ka kundërshtuar.

Kreu i LVV-së, të martën pasdite në një ngjarje kushtguar vitit të ri hebarik tha se njohja shtetërore mes Izraelit dhe Kosovës, do të jetë vetëm hapi i parë i  radhës në historinë e miqësisë mes dy popujve.

“Është e vertetë pas një viti me kaq sfida shëndetësore dhe ekonomike për shkak të pandemisë, e gjithë bota ka nevojë për një vit më të ëmbël dhe ne në këtë festë të hebrejve, me gjithë zemër dëshirojmë mbarësi për bashkëkombasit tanë shqiptaro-hebrenj të Kosovës e të Shqipërisë, por edhe të gjithë hebrenjë të botë e sidmos nëvendin e Izraelit i cili së fundmi u shpreh për njohjen e Kosovës”, tha ai.

“Njohja shtetërore mes Izraelit dhe Kosovës, do të jetë vetëm hapi i parë i  radhës në historinë e miqësisë dhe të respektetit mes popullit shqiptar dhe atij izraelit”, shtoi Kurti.

Lideri i Vetëvendosje, Kurti kishte deklaruar se marrëveshja e Uashingtonit me Serbinë është me keqe se në kohën e bisedimeve teknike.

“Fjala kufi nuk përmendet dhe kjo është më keq se në bisedimet teknike se në kohët e bisedimeve të Edita Tahirit, kjo është më poshtë se  aq meqenëse këto s’po ta bënë Serbia, por po ja bënë vetvetes”, ishte shprehur ai.

Ndërkaq, ish-kryeministri pati thënë se e vetmja gjë pozitive në këtë marrëveshje është njohja reciproke nga Izraeli.

Më 4 shtator, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kanë nënshkruar marrëveshje për normalizim ekonomik, por e cila përmbante disa pika me karakter politik.