Polici ukrainas Ihor Kinal, Foto: Albin Kurti/Facebook

Kurti kujton vdekjen e policit nga Ukraina që shërbente në Kosovë 14 vjet më parë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 14-vjetorin e vdekjes së Ihor Kinal, polic nga Ukraina që ka shërbyer në Kosovë. Publikimi i kryeministrit Kurti vjen në kohën kur Ukraina po përballet me luftën e nisur nga Rusia tash e gati një muaj.

Sipas Kurtit, një muaj pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, Gjykata e Qarkut dhe ajo Komunale në veri të Mitrovicës u uzurpuan nga rreth 300 protestues të armatosur serbë. Sipas tij për lirimin e këtyre objekteve, kishin ndërhyrë forcat ndërkombëtare të KFOR-it dhe të UNMIK-ut.

Kryeministri ka shtuar se në këtë aksion 26-vjeçari vdiq si pasojë e plagëve të marra.

“Protestuesit që vinin nga radhët e strukturave ilegale të Serbisë, atë ditë kishin me vete armë dhe mjete të tjera shpërthyese me të cilat sulmuan policët. Ndër 88 ushtarakë e zyrtarë policorë, të KFOR-it e të UNMIK-ut, të cilët u plagosën apo lënduan ishte edhe polici i UNMIK-ut nga Ukraina, Ihor Kinal. Me 18 mars 2008, një ditë pas sulmit, 26 vjeçari ukrainas vdiq si pasojë e plagëve të rënda të marra me 17 mars”, tha Kurti.

Kurti përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, tha se Kinal la pas nënën, babain dhe motrën, dhe varri i tij sot ndodhet në afërsi të qytetit Ternopil, në një fshat në perëndim të Ukrainës.

“Në shkollën e tij të mesme, i është ngritur një memorial përkujtimor në nderim të shërbimit të tij në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë”, shtoi Kurti.

Kryeministrit theksoi se grupe kriminale të strukturave ilegale të sigurisë së Serbisë kryen sulmin me 17 mars 2008.

Ky rast më vonë sipas Kurtit, është trajtuar edhe nga EULEX-i i cili kishte ngritur aktakuzë ndaj gjashtë të dyshuarve: Marjan Ilinçiq, Zoran Çaviq, Dragan Milojeviq, Aleksandar Aksentijeviq, Nebojsha Joviq dhe Avni Krasniqi.

“Teksa përkujtojmë dhe nderojmë policin e ri ukrainas Ihor Kinal, urojmë që familja e tij të jenë shëndosh e mirë dhe ritheksojmë admirimin dhe solidaritetin tonë me popullin e Ukrainës dhe luftën e tij çlirimtare kundër agresionit e invazionit rus”, përfundoi kryeministri.