Kurti kujton Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin: Vdiqën për atë që jetuan- për lirinë e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar Fehmi Lladrovcin dhe Xhevë Krasniqi- Lladrovcin, çiftin që ranë dëshmorë para 26 vitesh.

Kurti u shpreh se jeta e tyre ishte lavd për dashurinë dhe për lirinë e Kosovës.

“Jeta e tyre ishte lavd për dashurinë; lavd për dashurinë për lirinë; lavd për dashurinë për lirinë e Kosovës. Lavdi Fehmi Lladrovcit dhe Xhevë Krasniqit – Lladrovcit, të rënë heroikisht, këtu e 26 vjet më parë!”- ka shkruar Kurti në Facebook, më 22.09.2024.

“Ata të dy vdiqën për atë që jetuan: për lirinë e Kosovës. Vdekja e tyre ishte një rënie e njëhershme, ashtu siç jeta e tyre ishte një vepër e përbashkët, kryevepër për dashurinë dhe lirinë. Fehmi Lladrovci (1956) nga Gllanasella e Drenasit dhe Xhevë Krasniqi (1955) nga Drenoci i Malishevës ishin një çift i kulluar, që ashtu siç e shikonin njëri-tjetrin në sy me plot dashuri, bashkë shikonin drejt një synimi, lirisë së Kosovës. Ashtu siç e ka titulluar Fehmiu letrën e tij nga burgu për Xhevën, “DRITA E SYTRIT TIM XHEVË!”, ku ndër tjera ai i ka shkruar Xhevës: “Të përshëndes e të përqafoi nga larg SHPIRTI IM XHEVË! TË DUA SHUMË XHEVË””- ka shkruar Kurti.

Kreu i ekzekutivit përkujton se më më 22 shtator të vitit 1998, gjatë luftimesh me forcat armike serbe në Gradinë, Fehmiu dhe Xheva ranë dëshmorë me dy nga bashkëluftëtarë të tyre, Fatime Hetemi dhe Shefqet Zeka, ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Lavdi luftëtarëve dëshmorë Fehmi Lladrovci, Xhevë Krasniqi – Lladrovci, Fatime Hetemi dhe Shefqet Zeka, mes dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës!”- thuhet tutje në shkrimin e Kurtit në Facebook.

Fehmi Lladrovci ishte njëri nga komandantët dhe luftëtarët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai ra dëshmor më 22.09.1998 gjatë luftimeve të ashpra me forcat serbe, dhe bashkë me të ra dëshmore edhe bashkëshortja e tij Xhevë Krasniqi – Lladrovci.

David Loyn, korrespondent i medias prestigjioze BBC, i cili kishte raportuar gjatë luftës në Kosovë, në emisionin “Kallxo Përnime” në korrik të këtij viti  ka rrëfyer për intervistën që kishte realizuar me Fehmi Lladrovcin.

Loyn tha se Lladrovci kishte treguar guxim të madh kur doli publikisht para një media të huaj më 1998.

Në këtë intervistë, Lladrovci, ndër të tjera, kishte thënë: “E di që kjo mund të më kushtojë me jetë”.

“Lladrovci tregoi guxim të madh me daljen para kamerës dhe në intervistë ai pati thënë: “E di që kjo mund të më kushtojë me jetë” dhe sigurisht, më vonë gjatë vitit, ai dhe gruaja e tij vdiqën duke luftuar”- ka thënë gazetari Loyn.

Loyn e përshkruan si karakter ‘karizmatik’ Lladrovcin ndërsa tregon se intervistën e kishin realizuar në një gropë.

“Ishte me humor. Ishte karizmatik. Vëllanë e tij e njeh dhe ai ka personalitetet shumë të ngjashëm. Ai kishte sens humori. Gjetëm një lloj grope të tokë dhe aty mund të xhironim pa na parë askush. Kështu që kishim kohë”- thotë ai gjatë intervistës në “Kallxo Përnime”.

Gazetari i BBC-së tregon se si ditën kur kishin planifikuar ta realizonin intervistën me “Mustaqen” (Fehmi Lladrovcin), policët serbë i kishin shpërthyer gomat makinës së gazetarëve.

Gazetari i BBC-së që realizoi intervistën me Fehmi Lladrovcin: Ai tregoi guxim të madh me daljen publike