Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti kujton 22-vjetorin e bombardimeve të NATO-s

Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar 22-vjetorin e fillimit të bombardimit të forcave ushtarake të Serbisë nga NATO.

Kurti e ka quajtur 24 marsin si ngadhënjim i forcës së ndërgjegjes humane mbi dhunën e shovinizmit serb.

Bombardimet e NATO-së zgjatën për 78 ditë, e Kurti ka shkruar se në 78 ditët e ardhshme do të përkujtohen me pikëllim të gjithë ata që vdiqën nga gjenocidi serb në Kosovë.

Lexoni postimin e plotë të Albin Kurtit:

Sot kremtojmë përvjetorin e ngadhënjimit të forcës së ndërgjegjes humane mbi dhunën e shovinizmit serb.

Ishte hera e parë që na pëlqente uturima e avionëve të cilët po e shqyenin qiellin. U gëzuam fort. Mbrëmja e 24 marsit 1999 shënoi fillimin e bombardimeve të NATO-s mbi forcat e armatosura të Jugosllavisë së Milosheviqit. Shumë humbje, vuajtje e dëme u shkaktuan mbi popullin e vendin tonë në pranverën e para 22 viteve, por ishte ky agimi i çlirimit të Kosovës.

Ishte agim sepse dhimbjet që kishin ndodhur në një burg të përgjithshëm për shqiptarët, tanimë po njoftoheshin në një qiell të hapur. Lufta jonë e ndërgjegjes kishte triumfuar në formën e vendimit të përbashkët të kombeve që prej më shumë se dy shekujsh ishin angazhuar në të drejtën. Sakrificës që kishte ardhur gjithnjë nga lënda njerëzore, gjaku dhe bijat e bijtë e popullit tonë, po i bashkohej aleanca më e madhe botërore e historisë.

Në 78 ditët në vijim do t’i përkujtojmë me mall e pikëllim ata që na i rrëmbeu gjenocidi i Serbisë…