Foto: Albin Kurti, Facebook

Kurti krenohet me "të arriturat e qeverisë": Ekonomia është shtatë herë më e lartë sesa në vitin 2000

Kryeministri,Albin Kurti, thotë se qëndron me “krenari e vetëbesim” për mandatin katërvjeçar të qeverisë së tij.

Me këto fjalë, ai e ka nisur fjalimin e gjatë në Kuvendin e Kosovës, më 02.12.2024, në seancën e thirrur nga AAK-ja për të debatuar rreth punës së Qeverisë.

“Unë qëndroj para jush sot me krenari dhe vetëbesim mbi këtë katërvjeçar të qeverisjes sonë që ka qenë i mbushur me plot të arritura e më shumë sfida sesa zakonisht jemi mësuar”- ka deklaruar Kurti.

Para deputetëve, ai ka prezantuar shifrat e “zhvillimit ekonomik e zvogëlimit të papunësisë”, teksa ka përmendur edhe dyfishimin e buxhetit.

Sipas Kurtit, papunësia ka rënë nga 25 përqind në 10 përqind.

Shefi i Qeverisë ka deklaruar se ekonomia është shtatë herë më e lartë tani sesa në vitin 2000, kur vendi sapo kishte dalë nga lufta e fundit.

“Në Kosovë e kemi dëshminë me të cilën duhet të jemi ndërkombëtarisht krenarë, që edhe çlirimi, edhe pavarësia, edhe liria e demokracia ia vlejnë fort, meqenëse Bruto Produkti Vendor i vendit tonë për këtë vit është shtatë herë më i lartë sesa në vitin 2000, që është viti i parë pas çlirimit. Natyrisht që s’krahasohemi me 1999-ën, për shkak të gjenocidit dhe shkatërrimeve të luftës… Pra, në vitin 2024, krahasuar me vitin 2000 është shtatë herë më e lartë ekonomia e vendit tonë. Ndërkaq, krahasuar me vitin 2008, kur është shpallë pavarësia, ekonomia është tri herë më e madhe sesa atëherë. E krahasuar me vitin e parë parapandemik 2019, është 50% më e madhe”- tha Kurti.

Ai ka folur edhe për mbylljen e strukturave paralele në veri.

“Janë mbyllur shërbimet ilegale në komunat veriore. E kemi eliminuar ndikimin e organizatave terroriste në veriun e Kosovës, por kjo nuk do të thotë që nuk ka elemente kriminale atje. Kemi shtruar rrugë edhe në komunat në veri, po ndërtohen dhe rinovohen shtëpi, gjithnjë më shume qytetarë po bashkëpunojmë me shtetin e Kosovës. 4040 qytetarë i kanë dorëzuar targat ilegale”- është shprehur Kurti.

Ai ka thënë se e di që janë kritikuar që nuk ka njohje të reja, por ka theksuar se nuk e kanë premtuar këtë në fushatë.

Në prag të përfundimit të mandatit, Kuvendi i Kosovës po mban debat parlamentar lidhur me qeverisjen katërvjeçare të kryeministrit, Albin Kurti.

Kjo seancë është propozuar gjatë mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, më 25.11.2024, nga deputeti Besnik Tahiri në emër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Qeveria Kurti 2 është votuar më 22 mars 2021, me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim.