Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti Foto: ZKM

Kurti: Kosova është më e fortë se kurrë më parë, nuk trembet nga kërcënimet e Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 13.09.2024, ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në koordinim me Rusinë, “mbi varrezat masive, po përgatit kërcënime dhe ultimatume të reja ndaj Kosovës”.

Kreu i ekzekutivit kosovar i ka renditur krimet që ka shkaktuar Serbia gjatë luftës në Kosovë dhe ka publikuar hartat e varrezave masive.

Kurti ka thënë se përderisa Vuçiqi i mbanë të fshehura informacionet për vendndodhjen e të paktën 11 varrezave masive brenda territorit të Serbisë, ky shtet i drejtuar nga ministri i Millosheviqit, në bashkëpunim me Rusinë, po përgatitin kërcënime dhe ultimatume të reja në drejtim të Kosovës.

Ky postim është bërë rreth dy orë para se të nisë konferenca e paralajmëruar nga Vuçiqi në lidhje me Kosovën.

“25 vjet pas gjenocidit në Kosovë, me 186 masakra, rreth 500 varreza masive në Kosovë, 5 varreza masive në Serbi, ku mbetën të vrarë mbi 13 mijë njerëz (1392 fëmijë; 1739 gra; 1882 të moshuar), rreth 20 mijë gra e vajza të dhunuara dhe keqtrajtuara, dhjetëra mijëra qytetarë të persekutuar, mbi 860 mijë të dëbuar nga Kosova dhe qindra mijëra të tjerë që nga malet shihnin qysh po ju plaçkiten e digjen shtëpitë (gjithsej 119,855 sosh), dhe ende 1595 persona të zhdukur me dhunë, qindra familje që jetojnë me ankth e dhembje, ndërsa i mbanë të fshehura informacionet për vendndodhjen e të paktën 11 varrezave masive brenda territorit të saj, Serbia e drejtuar nga ministri i Millosheviqit, në bashkëpunim me Rusinë, po përgatitin kërcënime dhe ultimatume të reja në drejtim të Kosovës”- ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai ka shtuar se Serbia flenë mbi varreza masive nga gjenocidi i kryer në Kosovë dhe se dëshmitë e gjenocidit janë të freskëta gjithandej në Kosovë e Serbi, por “kjo nuk po e pengon presidentin e Serbisë për të kërcënuar sërish”.

“950 civilë të paarmatosur u masakruan, ua rrëmbyen kufomat dhe i futën në varreza masive në Serbi, përfshirë këtu kamionë frigoriferë që dolën nga fundi i liqeneve atje“- ka shtuar ai.

Kurti ka deklaruar se në vend që Serbia të pendohet për krimet, të kërkojë falje për to dhe të mos i mohojë ato; t’i hapë arkivat e luftës të policisë dhe ushtrisë jugosllave, sidomos të brigadës së motorizuar 37; të paguajë dëmshpërblimet; të bashkëpunojë për të vendosur drejtësi për viktimat e gjenocidit; dhe të angazhohet për pajtim e paqe duke reflektuar mbi përgjegjësinë që ka; ajo ka zgjedhur anën e kundërt, duke përsëritur kërcënimet dhe ultimatumet, ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Sipas tij, këto gjëra Serbia po i bën në bashkëpunim dhe koordinim të afërt me Rusinë dhe se krimet makabre që Serbia para 25 vjetëve i kreu në Kosovë, sot po përsëriten nga Rusia në Ukrainë dhe po synohen që të kthehen prapë në rajonin e Ballkanit.

“Qasja e pushtetit në Serbi ndaj Kosovës është tejet dëshpëruese. Fillimisht u normalizua pandëshkueshmëria dhe fushatat propaganduese. E tash po synohen të normalizohen sulmet paramilitare dhe terroriste (Banjska, 24 shtator 2023), kërcënimet dhe ultimatumet, të cilat arsyetohen me lajme të rrejshme dhe fushata dezinformuese, para syve të botës demokratike“- ka shkruar ai.

Kurti ka thënë se Kosova është më e fortë se kurrë më parë, nuk trembet nga kërcënimet.

Sipas tij, kjo që po ndodhë aktualisht, tregon se sa larg është Serbia nga vlerat demokratike dhe njerëzore dhe sa e mishëruar mbetet me gjenocidin e kryer në vitet e ‘90-ta.

KALLXO.com, sot më datë 13.09.2024 ka publikuar aktakuzën për rastin e sulmit terrorist që u bë në Banjskë më 23.09.2024.

“I keni dëgjuar këta trima çfarë thonë, unë do t’ju them vetëm një gjë në emër të të gjithëve, sa herë tjetër do të mbrohemi deri në fund, deri në vdekje” – kështu është cituar Millan Radoiçiq në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Fjalimi në fjalë, sipas aktakuzës, lë të kuptohet se ai e ka rolin kyç në udhëheqjen e grupeve kriminale që veprojnë në pjesën veriore.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 10.09.2024, pas një takimi me të dërguarin e Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka paralajmërua se do t’i prezantojë kërkesat e Serbisë, për shkak të siç ka thënë “sulmeve substanciale dhe brutale ndaj popullsisë serbe në veri të Kosovës”.

Vuçiq ka thënë se në 72 orët e ardhshme do t’i adresohet publikut për “ato që bashkësia ndërkombëtare nuk i ka përmbushur, për ato që Serbia kërkon, dhe synon të bëjë”.

Aktakuza për rastin e Banjskës: Si i kërcënonte Radoiçiqi organet e sigurisë në Kosovë në prani të Vuçiqit?