Kurti: Kosova duhet të anëtarësohet në Këshillin e Evropës dhe në NATO

Kryeministri Albin Kurti pas takimit me ndihmës-sekretaren amerikane të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, tha se është për të ardhur keq mossanksionimi i Rusisë nga Serbia pas agresionit rus në Ukrainë, duke shtuar se shtetet që kanë vënë sanksione ndaj Rusisë duhet të anëtarësohen në NATO dhe BE.

Kurti tha se që të ruhet paqja dhe stabiliteti është i domosdoshëm integrimi i Ballkanit Perëndimor në NATO dhe në BE, duke përfshirë edhe Kosovën.

“Dje u bënë dy muaj prej kur nisi agresioni i pajustifikuar i Federatës ruse ndaj Ukrainë, kjo luftë që shumë liderë vendesh nuk e prisnin të ndodhte dhe po zgjat më shumë se që agresori e ka pritur. Ne duhet të mbetemi të vëmendshëm nga ky dëshpërim i Kremlinit. Është për të ardhur keq refuzimi i Serbisë për sanksionimin e Rusisë dhe hezitimin për t’u distancuar nga ajo, një refuzim i tillë tregon për bindjen, orientimin dhe një aleancë autokratësh. Që të ruhet paqja dhe stabiliteti është i domosdoshëm integrimi i Ballkanit Perëndimor në NATO dhe në BE. Kosova duhet të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, por edhe në NATO. Për SHBA-të, Kosova do të mbetet mik, aleat dhe partner i besueshëm që nuk pyet pse, por si dhe jo sa, por kur”, tha ai.

Ndihmës-sekretarja e SHBA: Kosova dhe Serbia në mënyrë urgjente duhet të angazhohen në dialog