Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes së Turqisë, Haluk Gorgun. Foto: ZKM

Kurti: Kosova do të vazhdojë blerjen e pajisjeve ushtarake nga Turqia

Kryeministri Albin Kurti ka folur me presidentin e Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes së Turqisë, Haluk Gorgun, për bashkëpunimin e dy vendeve për prodhim të municionit.

“Në takim gjithashtu u diskutua rreth mundësive të bashkëpunimit në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, përkatësisht atë të prodhimit të municionit, dhe për kushtet që vendi ynë ofron për investitorë potencialë nga Turqia” – thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Kurti është shprehur falënderues për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, veçanërisht në ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ai ka thënë se Kosova do të vazhdojë të blejë pajisje ushtarake nga Turqia, si një nga partnerët kryesorë të vendit.

Gorgun ishte i shoqëruar nga ekipi i tij dhe ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, ndërsa Kurti ishte bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Vitin e kaluar, Kosova ka blerë nga Turqia dronë “Bayraktar TB-2”.